Atë që nuk mundi ta bënte në Kuvendin e Kosovës, pasi u pengua nga deputetë të Vetëvendosjes, të cilët para foltores, ku ai duhet të fliste, hapën një pankartë me tekstin “Kosova e Hashimit”, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e bëri në një konferencë speciale, që e mbajti në ambientet e Qeverisë.
Kryeministri, i cili nga ai vend iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve, tha se në Kuvend, që u shndërrua në cirk, ishte i penguar nga Vetëvendosje të raportonte – informonte për rezultatet e deritashme të dialogut “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. Në vazhdim rikujtoi vendimin e GJND-së, me të cilën u njoh legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe Rezolutën e OKB-së që e pasoi, me të cilën Kosova e Serbia thirreshin të zhvillojnë dialog teknik për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ky dialog në vazhdim është përmbushje e këtij detyrimi ndërkombëtar, në sajë të të cilit tashmë janë shënuar disa rezultate. Ndër të tjera ai përmendi njohjen e kufijve përmes Menaxhmit të Integruar (IBM), njohjen e diplomave për bashkëkombësit tanë në Luginë të Preshevës, lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit, procesin e integrimit gradual të serbëve në institucionet e sistemit të Kosovës, kurse në horizont janë edhe marrëveshje të tjera të cilat do të zgjidhin problemet midis dy vendeve.
Thaçi disa herë përmendi mbylljen e kapitullit të luftës midis Kosovës e Serbisë, duke lënë pas historinë tragjike, pa e harruar atë, si një nevojë e kontribut për stabilitet e siguri në rajon, në veçanti në Ballkanin e trazuar Perëndimor.
Ai po ashtu tha se çdo marrëveshje e arritur deri tash ka qenë transparente dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe me konventat ndërkombëtare. Sipas tij asnjë pikë a presje e Kushtetutës së Kosovës nuk është shkelur. Kurse dialogu tha se ai po çon drejt njohjes reciproke.
Thaçi po ashtu tha se dialogu po zhvillohet midis dy shteteve dhe se marrëveshjet dhe i gjithë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë janë në favor të integrimit të vendit në OKB, në BE dhe në NATO.
Nuk bëhet fjalë për krijimin e kurrfarë Republika Serpska nga veriu i Kosovës. Siç u shpreh ai në të gjitha këto organizma nuk shhkohet pa normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, pa kontrollin e kufijve të shtetit, pa funksionalizimin e Kushtetutës dhe të ligjeve.
Në momentin që kryeministri i vendit Hashim Thaçi doli në foltore për të raportuar para Kuvendit për bisedat në raundin e fundit 19 - 20 shkurt në Bruksel me kryeministrin serb Ivia Daciq, deputetë të Vetëvendosjes rrethuan foltoren duke hapur një pano të madhe me mbishkrimin “Kosova e Hashimit”.
Kryeministri u larguar nga foltorja duke thënë se do të raportojë pasi të krijohen kushtet, ndërsa kryesuesi i seancës Sabri Hamiti dha pauzë 15 minutëshe të mbledhjes./koha/