Disa nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ‘Dimitar Vllahov’ sot rreth orës 12:30, janë sulmuar nga persona të panjohur deri më tani. Sipas fëmijëve, dhunuesit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me mjete të forta, që nga thikat e sende të tjera. Tre prej nxënësve shqiptarë janë të lënduar, njëri prej tyre më rëndë dhe për kurim janë pranuar në spitalin e qytetit. Sipas nxënësve dhe familjarëve të tyre, policia ka mbërritur në vendngjarje, me rreth 40 minuta vonesë, pas incidentit. Ajo nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për ndjekjen e tyre, por thjesht ka mbledhur dëshmi nga të lënduarit.
“Nuk e dimë nisemi prej në shtëpi shëndosh e mire, kur të arrijmë në shkollë nuk e dimë se a jemi të sigurt, se vallë do të kthehemi të vdekur apo të gjallë, nuk jemi të sigurt për jetën tonë. Dalim edhe tjera herë kur e kemi ndërrimin pasdite, dali aty dhe nuk e dimë se prej nga na sulmojnë, dalin nga banesat përreth, terr është aty, nuk e dimë nga na vijnë, ata ishin rreth 30 veta...”
“Na morën neve, ata që u dashtë ti zënë, nuk i morën, me ne janë grindur diku për 20 minuta, na kanë mbajtur aty. Këtë shokun e rrahur e kanë vonuar rreth 40 minuta, nuk e thirrnin ndihmën e shpejtë, derisa kam tentuar unë që ta marrë vetë personalisht dhe ta sjelli në spital”
Nëna e nxënësit të rrahur Besir Jusufit thotë se ndihet e shqetësuar nga incidentet e tilla dhe u bënë thirje autoriteteve që të zbardhin rastin sa më shpejtë.
“E lusim Qeverinë të marr masa, ne fëmijët i dërgojmë në shkollë shëndosh e mirë, na kthehen të përgjakur. Çka të bëjmë ne kështu, vetëm ti ndalim prej shkollave fëmijët. Lëndime djali ka boll, e kemi fotografuar, ka dhënë gjak, është i rrahur boll. Ne nuk kemi fëmijë për ti gjuajtur, çdo ti rrahin, ne të frikësohemi që ti dërgojmë në shkollë ata dhe të kemi frikë se kthehen të gjallë apo jo?”, tha Kadire Jusufi, nëna e nxënësit të rrahur.
Në vendngjarje, para urgjencës së qytetit, erdhi edhe kreu i komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami pasi nxënësit e sulmuar janë nga kjo komunë.
“Njëherë e përgjithmonë këto rrahje, këto keqësime ndëretnike që janë duke u bërë, të rregullohen dhe këtyre çështjeve t’ju thuhet stop. Unë nuk dua të mendojë kështu, por më duket se këtu ka skenarë. Siguria e nxënësve dhe siguria individuale nuk është e mirë këtu, unë nuk e shohë këtë të arsyeshme pasi që prindërit në mëngjes fëmijët i dërgojnë në shkollë dhe ata t’ju kthehen të rrahur, të malltretuar, me gjak, po mund të ndodh edhe më e keqja, të kthehen të vdekur” Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski thotë se po punohet në zbardhjen e rastit dhe se organet kompetente deri më tani kanë marrë në pyetje disa të dyshuar për të cilët besohet se mund të jenë sulmuesit e nxënësit 16 vjeçar.
“Deri më tani në polici janë marrë disa persona nën dyshimin eventual se ata mund të jenë pjesëmarrës në këtë incident që ndodhi por do të përsëris ende po punohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e ngjarjes dhe prej momentit që do të sigurohen të gjitha dëshmitë, atëherë kur do të konfirmohet identiteti i pjesëmarrësve në këtë incident, kundër tyre do të ngritën padi”, u shpreh Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Rrahja e nxënësve shqiptarë të Shkollës së Mesme ‘Dimitar Vllahov’ në Shkup vjen vetëm 2 ditë pas incidentit në Çair ku 13 vjeçari shqiptarë Blin Shabani u sulmua nga persona të panjohur pasi kishte refuzuar të puth kryqin./alsat-m/