Në Spitalin e Qytetit në Shkup janë pranuar 5 qytetarë shqiptar me lëndime të rënda trupore. Dy prej tyre, në gjendje më të rëndë gjenden në kurim intensiv. Njëri prej të lënduarve duke përshkruar ngjarjen thotë se huliganët maqedonas në grup prej 100 deri 200 personash kanë sulmuar nëpër qytet, stacione autobusësh dhe kudo që kanë takuar shqiptarë.
“Kemi qenë në stacionin e autobusëve në rrugën “Jugodërvo”. Përnjëherë ka ndodhur ngjarja, më shumë se 100-200 vetë kanë qenë dhe kanë goditur nga kanë mundur. Kjo nuk është në rregull. Del ashtu siç duhet, nuk kthehesh normal”, thotë njëri prej të lënduarve.
Dy prej të lënduarve janë nga Komuna e Haraçinës. Për këtë shkak kryetari i kësaj komune edhe sot vizitoi Spitalin e Qytetit për tu informuar nga afër me gjendjen e viktimave. Ai paralajmëron se nëse vazhdojnë incidentet e tilla situate mund të eskalojë.
“Definitivisht këto duhet të ndërpriten. Këto huliganë që bëjnë këto vepra, rrahin fëmijë, nxënës, nuk çon në të mirë dhe siç duket situata mund të eskalojë edhe në një krizë më të madhe. Kisha apeluar deri te organet përkatëse, njëherë e përgjithmonë të marrin fund këto ngjarje”, tha Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës./alsat-m/