Në Shkup mbrëmë ka mbretëruar qetësi dhe situata i është kthyer normalitetit pas protestave dhe incidenteve të djeshme.
Nëpër rrugët e kryeqytetit nuk ka pasur lëvizje të shumta të qytetarëve, ndërsa në rrugët kryesore ka vazhduar prania e shtuar policore, njfoton INA.
Qytetarët shprehen të revoltuar nga sjellja e djeshme e policisë dhe shtimi i forcave të saj, duke nxitur provokim për protestën dhe protestuesit që kishin nisur protestën e qetë.
“Ne dolëm në protestë të qetë për të shprehur revoltën tonë, mirëpo tentimi i policisë për të izoluar protestën ka nxitur reagimet dhe tensionet në mesin e turmave protestuese. Derisa të premten kur protestuan maqedonasit dhe huliganët rrahnin shqiptarë, policia nuk ishte askund, në protestën e mbajtur nga ne kishte dalur tërë MPB dhe njësitet e saj”, theksojnë për INA, një grup protestuesit.
Qytetarët druajnë se sërish mund të provokohen incidente dhe se ndjehet një pasiguri pas situatës së krijuar, ku qytetarët ndjejnë pasiguri nga mundësia e dhunës së huliganëve maqedonas.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pritet që sot të jap hollësi lidhur me protestën e djeshme të të rinjve shqiptarë, kundër dhunës së huliganëve maqedonas.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ivo Kotevski dje pasdite deklaroi se janë ndaluar personat e parë të përfshirë në incidentet e dhunshme dhe se në mesin e tyre janë ndaluar edhe organizatorët e dyshimtë të protestës.
Gjatë protestave janë regjistruar demolime dhe dëmtime të makinave policore, makinave private, dëmtimi i dyqaneve si dhe djegia e një autobusi urban.
Protesta e djeshme u organizua në shenjë proteste kundër dhunës së huliganëve maqedonas ndaj shqiptarëve në protestën e së premtes që ishte organizuar nga shoqata civile maqedonase kundër emërimit të ministrit të mbrojtjes Talat Xhaferi, për shkak të së kaluarës së tij si ish-komandant i UÇK-së. Protestat e fundit kanë rritur tensionet politike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësime lidhur me situatën e krijuar.