Ministri Buja premton rishqyrtimin e Udhëzimit për shaminë

Ministri i Arsimit, Ramë Buja ka konfirmuar se është duke u shikuar mundësia që të rishqyrtohet Udhëzimi Administrativ për çështjen e veshjes dhe propagandës fetare në shkollat publike. Gjatë një takimi me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, ministri Buja ka thënë se janë të përkushtuar që të gjithë nxënësve t‘u mundësohet e drejta e shkollimit, transmeton Telegrafi.

Vedat Sahiti, këshilltar i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ka konfirmuar për Telegrafin se myftiu ka vlerësuar se nxënësve duhet mos u bëhen pengesa për shkak të bindjeve fetare.

“Ministria e Arsimit duhet të shohë përvojat e shkollave në vendet e Evropës perëndimore, ku nxënëset nuk diskriminohen për shkak të përkatësisë fetare”, citohet të ketë thënë kreu i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava, gjatë këtij takimi.

Myftiu tha thënë se BIK, së bashku me Ministrinë e Arsimit janë të gatshëm që të përcaktojnë një lloj të veshjes, sipas parimeve islame.

Ndërsa, ministri Buja ka thënë se për çështjet që kanë të bëjnë me fenë do bashkëpunojnë me Bashkësinë Islame të Kosovës, si institucion kompetent i komunitetit mysliman të Kosovës.

Në anën tjetër, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora ka deklaruar më herët për Telegrafin se është e qartë se shamia nuk është uniformë fetare, siç identifikohet në raste të caktuara.

Udhëzimi Administrativ nr 6/2010 të datës 11 maj 2010, në disa raste është shfrytëzuar për të penguar nxënëset që bartin shami të ndjekin procesin mësimor në sistemim publik të arsimit.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat