Peja përmbytet nga shirat (VIDEO)

Qyteti i Pejës është vërshuar nga shiu, i cili po bie pa ndërprerë prej më shumë se 24 orësh. Drejtoria për Shpëtim dhe Emergjenca alarmon se në rast se do të vazhdojë rënia e shiut me këtë intensitet, atëherë do të kërkohet edhe ndërhyrja e FSK-së.

Avdyl Lajçi, drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Emergjenca në Komunën e Pejës, ka thënë për Kosovapress se gjendja është shumë e rëndë dhe është duke u rënduar vazhdimisht, janë mobilizuar dhe po mundohen t’i bëjnë ballë kësaj situate. “Në rast se do të vazhdojë një rënie e tillë e shiut, ne jemi të detyruar që të kërkojmë ndihmë edhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Lajçi.

Strukturat përgjegjëse kanë bërë evakuimin e fëmijëve të vegjël nëpër çerdhe të qytetit, si dhe të disa banorëve të lagjeve më të përmbytura të qytetit të Pejës.

Lajçi ka bërë të ditur se Komuna e Pejës nuk ka ndonjë fond emergjent për ndërhyrje në raste të tilla.

Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë së Pejës, tha se pjesëtarët e policisë janë në terren, të gatshëm për të ndihmuar nëse paraqitet nevoja. Ai ka theksuar se gjendja aktuale nuk është aq e rëndë dhe se nuk ka vend për panik. /Kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat