EULEX-i ka hapur rast tjetër ndaj Fatmir Limajt

Prokuroria e EULEX-it ka hapur edhe një rast tjetër hetimi për korrupsion ndaj Fatmir Limajt .Zëdhënësja e EULEX-it, Bardha Azari, i ka thënë Radio Kosovës se ky është një rast i ri dhe se kësaj herë bëhet fjalë për dyshimin e keqpërdorimit të tre tenderëve në Ministrinë e Transportit në kohën sa Limaj ishte ministër.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës do të përballet edhe me një tjetër proces hetimor për korrupsion. Janë tre tenderë në Ministrinë e Transporteve, të vitit 2008, për të cilat një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian ka nisur hetimet.

Zëdhënësja e EULEX-it, Bardha Azari, ka konfirmuar se pikërisht për këtë çështje Limaj është thirrur për t’u marrë në pyetje nga një prokuror ndërkombëtar.

“Fjala është për një rast të ri, i dyti me radhë ku Fatmir Limaj është i dyshuari kryesor. Rasti ka të bëjë me tre tenderë për rrugë në komunën e Ferizajt. Ky është rast i ri që ka filluar të hetohet në vitin 2011 dhe nuk ka të bëjë asgjë me aktakuzën e parë. Mund të konfirmoj se i dyshuari tjetër është Shpëtim Telaku, por nuk mund të jap detaje tjera.”, i ka thënë Azari, Radio Kosovës.

Thirrjen për marrjen në pyetje nën dyshimin për korrupsion , të dytin me radhë e ka konfirmuar edhe avokati i Limajt, Tomë Gashi.

“Ka pasur një tentim për t’u marrë në pyetje nga një prokuror i EULEX-it , por z. Limaj ka refuzuar duke e konsideruar këtë si shkelje të të drejtave të njeriut pasi që është vërtetuar se është rasti i njëjtë për të cilën ka aktakuzë e që procesi gjyqësor fillon me 8 prill “, i ka thënë Gashi, Radio Kosovës.

I dyshuari tjetër mësohet të jetë shefi i prokurimit Nexhat Krasniqi si dhe një biznesmen, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, po përballet aktualisht me dy procese gjyqësore. Aktakuza e parë është për krime lufte në të ashtuquajturin ‘Rasti Kleçka’. Ndërsa, aktakuza tjetër është për korrupsion, gjithashtu, në Ministrinë e Transporteve./RTK/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat