Maqedonia voton

Procesi zgjedhor për zgjedhjen e drejtuesve komunalë në Maqedoni kryesisht zhvillohet pa probleme të theksuara, ka bërë të ditur Komisioni Shtetërori  Zgjedhjeve në takimin e dytë me mediat.

“Sipas të dhënave që kanë arritur në qendrën analitike të KSHZ-së, jehona votuesve deri në orën 13, në nivel shtetëror arrin 34, 87 për qind”, ka bërë të ditur zëdhënësja e KSHZ-së, Biljana Joanovska, pa dhënë hollësi për parregullsitë e paraqitura nga këshillat vendore.

Ndërsa, asociacioni qytetar “Most”, që ndjek procesin zgjedhor me 3 mijë e dyqind vëzhgues, ka bërë të ditur se janë hapur të gjitha vendvotimet në Maqedoni dhe se vëzhguesit e saj janë në terren, por se në disa vendvotime janë vërejtur parregullsi të caktuara, por që nuk dëmtojnë procesin.

Ndërkaq, reagimi i parë nga partitë politike, vjen nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ka thënë se nuk ka mundur të votojë sot në vendvotimin e tij, pasi emri i tij është fshirë nga listat e votuesve.

“Nuk isha në listën zgjedhore, edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar Entin Statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj".

"Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë, në shumë komuna ka me qindra njerëz, të cilët kanë dokumente të rregullta, por nuk janë në listat zgjedhore. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, është shprehur Thaçi

Zgjedhjet vendore, të gjashtat me radhë, që realizohen në Maqedoni, kësaj radhe kanë marrë dimensionin e garës ndëretnike për qytetin e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.

Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komune, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.

Po sipas të dhënave të kryesuesve komunal të KSHZ-së në këtë qytet është vërejtur dhe numri më i madh i daljes së votuesve të të dy etniteteve - maqedonasve dhe shqiptarëve - rreth 54.6 për qind.

Po sipas të dhënave të këshillave komunalë, deri në orën 14-të në disa vendvotime të Zajazit dhe fshatrave përreth, pjesëmarrja e votuesve ka arritur mbi 70 për qind.

Mërgimtarët, të cilët kanë mbërritur në Kërçovë me dhjetëra autobusë dhe vija të posaçme fluturimi, thonë se kanë ardhur për të votuar dhe menjëherë gjatë ditës, ata do të kthehen në vendet e Evropës ku janë me punë të përkohshme.

“Kam ardhur nga diaspora për të votuar për kandidatin tonë , të realizojmë zgjedhje korrekte dhe t`i tregojmë botës se ne shqiptarët nuk jemi numër i vogël sië pretendojnë të tjerët”, thotë Hasan Hasani, mërgimtar.

“Po besoj se ardhja jonë do të shërbejë, sepse zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme dhe e drejtë e qytetarit, dhe besojmë se zgjedhjet do të jenë në nivel, do të kemi zgjedhje demokratike”, thotë një qytetar nga Kërçova që ka ardhur të votojë nga diaspora.

Ndërkohë, deputetët e partisë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE,  Antonio Milloshoski, Ilija Kitanov së bashku me drejtorin e Doganës, Vanço Kargov, dhe zëvendëskryeministrin  për çështje ekonomike, Vlladimir Pesheski, janë vëzhgues në qytet, ndërsa zëvendëskryeministri Zoran Stavrevski dhe Sillvana Boneva janë në Zajaz.

Nga ana tjetër, presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, pasi ka realizuar të drejtën e votës, ka theksuar se realizimi i zgjedhjeve në frymë demokratike, është me një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.

“Sot është dita kur qytetarët e japin votën e tyre për atë, tek i cili kanë më tepër besim, e japin votën për ata, për të cilët mendojnë se mund të kontribuojnë më shumë për ta dhe të afërmit e tyre në vendet ku jetojnë".

"Presim që edhe këto zgjedhje të kalojnë si është më së miri dhe në mbrëmje t’i urojmë fituesit, atyre që janë më të mirë dhe atyre që e kanë merituar besimin”, ka theksuar Ivanov.

Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa me rezultatet e para KSHZ-ja pritet të dalë pak para mesnatës./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat