Një person vret 13 të tjerë në Serbi

Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se një burrë ka vrarë 13 persona në një fshat pranë Beogradit.

Fshati Velika Ivança gjendet në Mlladenovc, rreth 50 kilometra në juglindje të kryeqytetit.

Zëdhënësja e shërbimeve emergjente në këtë vend, Nada Macura, ka thënë se 60-vjeçari ka qëlluar për vdekje gjashtë burra, gjashtë gra dhe një fëmijë dy vjeç.

Macura ka thënë se i dyshuari për vrasje, i identifikuar vetëm si Lubisha Bogdanoviq, ka bërë përpjekje të vrasë edhe veten dhe gruan e tij.

Të dy ata janë ende të gjallë, por me plagë të rënda, ka thënë drejtori i policisë serbe, Millorad Veloviq.

"Deri më tash, 13 njerëz janë vrarë, kurse dy të tjerë janë në gjendje kritike. Sipas informacioneve nga qendra emergjente ne spital, dy të plagosurit janë i Lubisha Bogdanoviq, dhe bashkëshortja e tij Javorka, që të dy të lindur në vitin 1953. Ata janë në gjendje kritike”, ka thënë Veloviq.

Mediat në Serbi njoftojnë se në mesin e të vrarëve gjendet e ëma e të dyshuarit dhe i biri i tij.

Motivi për të shtënat nuk ka qenë menjëherë i qartë. I dyshuari thuhet të mos ketë pasur dosje kriminale në polici. Vitin e kaluar ka mbetur pa punë, është veteran lufte,  i cili në vitin 1992 kishte luftuar në Kroaci.

Autoritetet kanë konfirmuar se viktimat janë gjetur të vrara në pesë shtëpi, se të gjithë kanë qenë në gjumë dhe se vrasjet kanë ndodhur ndërmjet orës 4:00 dhe 5:00 të mëngjesit të sotëm./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat