Turqia, investitori kryesor në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari- Lila, u ka bërë me dije në Samitin e 16 Ekonomik të Euro- Azisë, i cili po mbahet në Stamboll, se Turqia është investitori kryesor në Kosovë. “Në vitin 2011, Turqia ishte investitori i tretë më i madh në Kosovë, ndërsa në vitin 2012 arriti të investojë 65.6 milionë euro, duke u bërë investitori kryesor në Kosovë”, ka thënë gjatë këtij samiti ministrja Kusari-Lila. Ajo ndërkohë ka folur për mundësitë, ku të investohet në Kosovë.

Ndërkohë ministri i Zhvillimit Ekonomi, Besim Beqaj, i cili po ashtu është pjesëmarrës në këtë samit, foli lidhur me fuqizimin e konkurrencës bazuar në inovacion dhe talent, me qëllim të stimulimit të rritjes së qëndrueshmërisë ekonomike në vend dhe në kontekstin global.

Ministri Beqaj theksoi që Republika e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm në stimulimin e rritjes ekonomike në nivelin rajonal, përkundër faktit që vendet e BE-së dhe më gjerë janë ballafaquar me mungesë të stabilitetit financiar dhe probleme tjera ekonomike.

Ai bëri me dije se vendet duhet të sigurohen që resurset natyrore të cilat i kemi në dispozicion, të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale sepse të drejtën në shfrytëzim duhet ta gëzojnë edhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh.

Ministri prezantoi projektet zhvillimore në sektorët strategjik të ekonomisë së vendit dhe theksoi se reformat strukturore në ekonomi përmes transformimit të pronës publike në pronën private, do të kontribuojnë duke mundësuar shfrytëzimin e potencialeve, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të përfitojnë përmes përmirësimit të standardit jetësor.

Beqaj tha që edukimi kualitativ i të rinjve ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, në mënyrë që njohuritë e tyre të jenë në harmoni me kërkesat e tregut për punë. Ndër të tjerash, ai theksoi që rritja e vazhdueshme e numrit të njohjeve, anëtarësimi në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, rritja ekonomike përgjatë këtyre viteve përkundër sfidave të natyrës politike, ekonomike dhe sociale, konfirmojnë që Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në ekonominë globale.

Ai tha që përmes vizionit për zhvillim ekonomik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcaktuar prioritet fuqizimin e sektorit privat në vend, në mënyrë që ky sektorë të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat