Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarët tjerë të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, janë sot [e enjte] në Lubjanë dhe pritet që sonte të udhëtojnë drejt Brukselit për të vazhduar bisedimet me palën serbe, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.
Këshilltari i lartë i kryeministri të Kosovës, Bekim Çollaku, i cili është pjesë e delegacionit tha për Radion Evropa e Lirë se raundi i ri i bisedimeve do të mbahet nesër.
“Do të kthehemi dhe do të vazhdojmë raundin e ri të negociatave. Raundi i ri i dialogut mbahet nesër”, tha Çollaku.
Lajmin për kthimin e delegacionit të Kosovës në Bruksel fillimisht e ka konfirmuar zyra për informim e qeverisë së Kosovës, përmes një komunikatë.