Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me të dalë nga takimi, marrëveshjen e ka cilësuar si historike.
"Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton".
Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës , e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial".
"Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane".
"Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian".
"Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Do të thotë deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe akterët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in, NATO-n, dhe një rol lehtësues të Serbisë", ka thënë kryeministri i Kosovës.