Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se subjekti i tij do të angazhohet për ta kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel.
Kurti ka folur të dielën në mbledhjen e tetë të Këshillit të Përgjithshëm të lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të aktivizohet, do të organizohet për kundërshtim të fuqishëm të kësaj marrëveshje edhe në Kuvendin e Kosovës e edhe jashtë tij”, ka thënë ai.
Ai ka është shprehur të shpresojë në mbështetetjen e subjekteve të tjera për iniciativën e lëvizjes “Vetëvendosje” për të themeluar Komision hetimor për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka thënë se duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, të cilat, sipas tij, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, çka me to nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës.
Ai ka thënë se mundësia e vetme për ta bashkuar qytetin e Mitrovicës mbetet Alternativa qeverisëse e subjektit të tij. “Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje, transmeton koha. Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në ish bazën e KFOR-it, përkatësisht ish remontin ushtarak. Dy baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31”, ka cituar ai pjesë të Alternativës.
Kurti e ka parë të padrejtë qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës duke i përshkruar ata si të mashtruar të pushtetarëve në Kosovë.
Pas fjalës së Kurtit, mbledhja e “Vetëvendosjes”, është mbyllur për media dhe ajo po vazhdon konform agjendës së saj./lajm/