Me 89 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendi kanë votuar Rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo rezolutë u votua, nën thirrjet e deputetëve të VV që kjo rezolutë të mos votohet e të cilët edhe më tej vazhdonin ta pengonin seancën.
Paraprakisht, Rexhep Selimi, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, që të mos lejojë votimin e kësaj rezolute, e cila, sipas tij, është kundër interesave të popullit dhe pavarësisë së vendit.
“Mos e lejoni se edhe ju edhe ne, do t’i bijmë pishman, por do të jetë vonë. Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve, por i mbron interesat e klaneve të Hashim Thaçit. Mos e lejoni zoti kryetar. Mos e lejo Jakup Krasniqi, sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm, për çka kanë luftuar ushtarët tanë. Nuk na duhet Serbia as në veri, as në parlamentit. Është në duar të deputeteve, të ndajnë mes turpit dhe detyrës që e kanë si deputet”, ka pohuar Selimi.