Kisha Ortodokse Serbe formalisht e ka shkarkuar nga detyra një peshkop të njohur 74 vjeçar, për shkak të skandalit seksual, në kuadër të të cilit janë përfshirë orgji dhe dhunime të djemve dhe vajzave të mitura.
Ky peshkop është Vasilije Kaçavenda, që ka shërbyer në qytetet Tuzlla dhe Zvornik në Bosnjë e Hercegovinë.
Para një muaji ai ishte tërhequr nga detyra e tij kishtare, për shkak të dyshimeve në rritje se kishte shfrytëzuar pozitën e vet për organizimin e orgjive të shpeshta dhe kishte dhunuar djem dhe vajza të mitura.
Kisha Ortodokse Serbe e ka miratuar dorëheqjen e tij, pasi këtë javë janë publikuar videot në të cilat ai duket të jetë përfshirë në aktivitete seksuale me djem të rinj.
Vendimi i Sinodit të Shenjtë të kësaj kishte që ta pranojë dorëheqjen e tij duket se është pranimi i parë i pakënaqësisë në Kishën Ortodokse Serbe me akuzat e tmerrshme, që më tepër do t’i përkisnin një gjykate të perandorit Caligula se sa Dioqezës Ortodokse.
Bojan Jovanoviq, ish studenti i teologjisë në Bijelinë të Bosnjë Hercegovinës, ku ishte selia e Dioçezës së peshkopit Kaçavenda, thotë se ai e kishte parë një numër të orgjive të organizuara nga peshkopi 74 vjeçar, në të cilat kishin marrë pjesë edhe klerikët e tjerë dhe biznesmenë.
Jovanoviq thotë se Kaçavenda personalisht kishte kërkuar nga ai që të gjejë fëmijë të rinjë për qëllime seksuale.
“Ata u përpoqën disa herë që të më vinin në situatë të komprometuar, ose të më tërheqin në mesin e grupit të tyre. Peshkopi, po ashtu, ka sugjeruar se unë duhet ta përdori shkollën ku kam dhënë mësim për t’i sjellë atij fëmijë deri në moshën 10 vjeç, por natyrisht se unë kam refuzuar”.
“Unë, po ashtu, isha dëshmitar kur murgjit, nga manastiret e tjera, i sillnin studentët e teologjisë, të cilët do ta kalonin natën me peshkopin. Një mëngjes, njëri prej tyre më thirri dhe më luti që ta hapja derën e dhomës së peshkopit, në mënyrë që ai të mund t’i merrte gjërat e tij”, tha Jovanoviq.
Peshkopi Kaçavenda kishte tërhequr interesimin e opinionit me stilin luksoz të jetës dhe lidhjet me liderët e kohës së luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.
Disa njerëz tashmë janë paraqitur me akuza kundër peshkopit, përfshirë edhe një vajzë myslimane, e cila tha se Kaçavenda e ka detyruar atë të kalojë në fenë e krishterë dhe pastaj e ka dhunuar atë kur ajo ishte 16 vjeçare.
Në vitin 2010, thashethemet u forcuan kur u paraqitën fotografitë në të cilat peshkopi merrte poza afër stripterit të njohur beogradas, Dejan Nestoroviq, i cili kishte pranuar se ka pasur marrëdhënie personale me Kaçavendën.
Por, kultura e heshtjes brenda kishës nuk mbijetoi shumë gjatë. E përditshmja beogradase Blic kishte raportuar se i ka parë videot pornografike, që duket se e paraqesin peshkopin Kaçavenda, të angazhuar në seks oral dhe aktivitete të tjera seksuale me të rinj në lokacione të ndryshme.
Tash Kaçavenda, i larguar nga Kisha, mund të ballafaqohet me akuza të shumta në gjykatë.