Trepça, thëngjilli, liqeni i Gazivodës, pronat publike, zonat përreth kishave ortodokse e deri te përfaqësimi i serbëve në organet qendrore të Kosovës, janë disa nga temat për të cilat Beogradi është i interesuar të bisedojë me Prishtinën në kuadër të vazhdimit të negociatave të Brukselit. Burime nga Qeveria e Kosovës bëjnë me dije se pala serbe po përpiqet ta rrisë “pazarin” në mënyrë që të përfitojë nga plani i zbatimit të marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe në veri të vendit, shkruan Tribuna.
Sipas këtyre burimeve, aktualisht, pala serbe po synon të shtyjë përpara çështjen e zonave përreth kishave ortodokse. Gjatë negociatave të Vjenës, Beogradi pati kërkuar të drejtën e eksterritorialitetit, por ajo nuk ishte pranuar dhe nuk ishte përfshirë në kuadër të Planit të Ahtisaarit.
Së dyti, Beogradi insiston që për serbët, sidomos asociacionin e komunave, të garantohet një përfaqësim në nivelin qendror duke i përfshirë edhe ulëset në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk përmenden në marrëveshjen e 19 prillit. Gjithashtu, pala serbe kishte ngritur si shqetësim edhe çështjen e pronave të serbëve në Kosovë, të cilat pretendon se janë uzurpuar.