Partia e Drejtësisë nuk do t’i marrë dy postet zëvendësministrore që ia ka kërkuar Shefit të Qeverisë.
Burime të “Expressit” bëjnë të ditur se përgjigja e Kryeministrit për kërkesën e kahershme të PD-së, është negative dhe se ky vendim nuk ka gjasë as të negociohet më.
Dëshirën për t’i marrë këto dy poste kryetari i PD-së, ia kishte adresuar muaj më parë Qeverisë, përmes partnerit të tij të koalicionit, liderit të AKR-së Behgjet Pacolli.
Por, burime të Express bëjnë të ditur se Thaçi dhe Pacolli jo vetëm që janë pajtuar që për PD-në të mos ketë asgjë më tepër se posti ministror që mban lideri i saj, por edhe që kërkesa e tyre të mos negociohet më.
“Përgjigja është negative. Bile as që po diskutohet më për këtë çështje se s’ka çka aty”, ka thënë një zyrtar i AKR-së i cili ka folur në kushte anonimiteti.
Ditë më parë Agani, në një bisedë për Express është shprehur i bindur se përgjigja ndaj kërkesës së tij, të cilën e quajti reale, do të jetë pozitive.
Ndërsa ka thënë se po pret përgjigjen e Pacollit dhe Thaçit për të vendosur për qëndrimin e partisë së tij.
Pacolli ndërkaq, duket se me të bindur shefin e shefin e ekzekutivit për t’ia dhënë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk është interesuar që t’ia plotësojë kërkesat edhe partnerëve të vogël në koalicionin partiak.
Riformatimi i kabinetit qeveritar nisi javën e kaluar kur partia e Behgjet Pacollit fitoi të shumëdëshiruarin post ministror në MZHE për Fadil Ismajlin, ish-drejtorin e KOSTT-it. Ndërsa, ish-Ministri i MZHE-së, Besim Beqaj u dërgua në dikasterin e financave.
Koalicioni Kosova e Re me liderin e saj Behgjet Pacollin, aktualisht në Parlamentin e Kosovës ka 8 deputetë: 2 nga të cilët janë të Partisë së Drejtësisë, 3 të AKR-së, 1 i Listës Ibrahim Rugova, 1 i NDS-së dhe 1 i PDAK-së.