Të mbledhur në tryezën shkencore “Kultura e gjuhës në mediet tona – arritje dhe probleme aktuale” të organizuar nga Shoqata e Gjuhës Shqipe e Prishtinës dhe Sektori i Kulturës së Gjuhës i Institutit Albanologjik për problemet e ligjërimit në shtypin e shkruar dhe të folur, pjesëmarrësit vlerësuan rolin e madh që u takon të luajnë këto mjete të komunikimit në shoqërinë e sotme shqiptare jo vetëm si mjet i informimit të publikut, por edhe i edukimit të tij. Në këtë mes, i rëndësishëm është roli i medies edhe në edukimin gjuhësor të folësve, sidomos në formimin e kulturës gjuhësore te brezi i ri. Në tubim u vunë në pah arritjet e medies në këtë lëmë, veçanërisht përpjekjet për të rritur cilësinë e ligjërimit dhe kujdesin për zbatimin e normave të gjuhës standarde në të shkruar e në të folur. Po, ndërkohë, në kumtimet e tyre pjesëmarrësit vunë në dukje se mbetet ende shumë për të bërë. Ka medie, sidomos elektronike, të cilat po u ofrojnë dëgjuesve e shikuesve një ligjërim jocilësor, me shqiptime krahinore, ndërtime gramatikore të gabuara e fjalë të huaja të panevojshme. Ky ligjërim vërehet veçanërisht te drejtuesit e emisioneve kulturore dhe, përgjithësisht, në emisionet e drejtpërdrejta, po dhe në titrat e filmave etj. Largime të tilla nga normat drejtshqiptimore e drejtshkrimore bartin me vete rrezikun që të kthehen në model imitimi nga adoleshentët dhe fëmijët.
Duke e çmuar lart rolin ndikues të medies në edukimin gjuhësor, pjesëmarrësit në tubim u drejtohen me këtë përkujtesë redaksive të shtypit të përditshëm e periodik, redaksive të televizioneve e të radiove, pronarëve të këtyre medieve, komisioneve kuvendore për mediet etj. me thirrjen që vijon:
1. Kujdesin për gjuhën ta vlerësojnë si një nga detyrat themelore të punës së tyre, duke i kushtuar formës gjuhësore të shprehjes po atë vëmendje që i kushtojnë edhe përmbajtjes që përcillet me anë të saj.
2. Redaksitë e gazetave, të revistave, të televizoneve të pajisen me kodet themelore të gjuhës, si fjalorë shpjegues të shqipes, rregullat e drejtshkrimit të shqipes, fjalorin drejtshkrimor, fjalorin gjeografik dhe doracakë të tjerë gjuhësorë. Krahas tyre, të përdoren edhe korrektori elektronik dhe fjalori elektronik i shqipes.
3. Në gazetat e revistat si dhe në programet radiofonike e televizive të ketë vend për rubrika gjuhësore lidhur me çështje të zbatimit të normave të gjuhës standarde, në të cilat të kontribuojnë gjuhëtarë, lëvrues të njohur të shqipes e redaktorë me përvojë.
4. Tregtuesit e pajisjve kompjuterike të hedhin në treg tastiera me taste për shkronjat ë dhe ç.
5. Një nga kriteret e punësimit në mediet elektronike, po dhe në mediet e tjera, të jetë kualifikimi gjuhësor i kandidatëve, që duhet dëshmuar nëpërmjet testimit të përgatitjes së tyre gjuhësore dhe kulturore.
6. Në organikën e medieve të shkruara të parashikohet vendi i redaktorit letrar dhe i lektorit gjuhësor, kurse në mediet elektronike vendi i mbikëqyrësit gjuhësor të emisioneve.
7. Në mediet elektronike një kriter punësimi të jenë edhe aftësitë shqiptimore të kandidatëve për folës dhe drejtues emisionesh.
8. Komisioni parlamentar i medies si objekt të veprimtarisë së tij të ketë edhe mbikëqyrjen gjuhësore sidomos të medieve elektronike./koha/