UP kushtëzon studimet islame

Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës (FSI) do të duhej deri tash të jetë në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”. Ky fakultet, në misionin e të cilit theksohet se ka nisur punën për arsimimin, edukimin dhe përgatitjen e kuadrove profesionale e shkencore për nevojat e Bashkësisë Islame dhe të shoqërisë kosovare në tërësi, në frymën e parimeve shkencore dhe të vlerave bashkëkohore në fushën e islamistikës, sipas vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i nxjerrë më 28 shtator 2012, është paraparë që të inkorporohet si njësi e barabartë akademike në këtë universitet.

Por, kjo nuk ka ndodhur, madje procedura për integrimin e këtij fakulteti po zvarritet, me gjithë vullnetin e udhëheqësve të FSI-së që ky integrim të bëhet në përputhje me standardet evropiane të arsimit, të cilat ata sigurojnë se i disponojnë.

“Inkorporimi i këtij fakulteti, si njësi e barabartë akademike, do të bëhet me emërtimin Fakultet i Studimeve Teologjike”, thuhet në vendim. Kjo pikë e dytë e vendimit, sipas burimeve zyrtare të gazetës do të jetë “mollë sherri” për inkuadrimin e këtij fakulteti në Universitet. Madje, do t’i dalë punë dhe Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), e cila ka të inkuadruar në proces të akreditimit dhe këtë fakultet. Emërtimi i fakultetit, sipas burimeve të gazetës në kushte anonimiteti brenda kësaj agjencie dhe Rektoratit, nuk mund të ndodhë pa përplasje. “Vendimi kur është marrë është caktuar që të jetë teologjike dhe kuptohet se ky fakultet nuk do të pranojë të humbë termin islam që ka në emërtim pasi ua tjetërson përmbajtjen e studimeve”, thekson njëri nga zyrtarët e lartë, sipas të cilit, agjencia po kryen akreditimin dhe në këtë institucion, por për emërtimin paralajmërohet “zhurmë”.

Procesi i akreditimit ka përfshirë dhe Fakultetin e Studimeve Islame. Ky proces që ka filluar në të gjitha institucionet e arsimit të lartë privat dhe atij publik, sivjet do të vlerësojë nivelin e dytë, atë të magjistraturës-studime teologjike që FSI ka aplikuar për të marrë akreditim, përderisa në vitin 2012 i është akredituar programi themelor për periudhë trevjeçare nga AKA-ja.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Fakultetit kanë bërë të ditur se janë shumë të interesuar të inkuadrohen në UP, pasi edhe kanë marrë konfirmimin se janë pranuar në kuadër të këtij universiteti.

Dekani i FSI-së, Qazim Qazimi ka thënë për “Zërin” se ky fakultet punon në frymën e Bolonjës dhe në bazë të kushteve infrastrukturore dhe legjislative që ka krijuar, inkorporimi në UP do të jetë proces lehtë i realizueshëm. Mirëpo, ai thekson se procedura e integrimit të këtij fakulteti po bëhet shumë ngadalë. Ky fakultet nuk ka marrë ndonjë njoftim se ku ka shkuar procesi dhe pse po vonohet inkorporimi. “Ne duam të inkorporohemi në UP ashtu siç janë dhe fakultetet tjera të studimeve islame në rajon, në kuadër të universiteteve publike”.

Por, Qazimi ka pranuar për gazetën se për inkorporimin në tërësi të Fakultetit në UP duhet të diskutohet dhe rreth emërtimit. Ndonëse ka theksuar se do të pranojnë emërtimin e propozuar nga Këshilli Drejtues i UP-së “Fakultet i Studimeve Teologjike”, kjo sipas tij, do të realizohet nëse i vendoset edhe shtesa “Islame”.

“Është çështje që do të negociohet gjatë procesit të integrimit në UP. Tani nuk mund të them më shumë. Dëshirojmë që procedura për integrim në UP të vazhdojë”, ka thënë ai duke bërë të ditur se më 14 qershor në këtë fakultet do të vijnë dy ekspertë të huaj dhe një përfaqësues i AKA-së për të vlerësuar këtë institucion lidhur me akreditimin e programit të magjistraturës. “Kemi aplikuar për akreditim të magjistraturës dhe mendojmë se plotësojmë kriteret për të fituar këtë drejtë. Në aplikacion kemi dhënë gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe informatat e duhura, tash pritet të bëhet vlerësimi”. Qazimi është optimistë se do të inkuadrohen në UP dhe se do të gjendet një zgjidhje dhe rreth emërtimit.

AKA-ja ka bërë të ditur se në proces të vlerësimit për akreditim kanë dhe Fakultetin e Studimeve Islame. Drejtori ekzekutiv i agjencisë, Basri Muja ka thënë për “Zërin” se nëse gjatë vlerësimit ekspertët konstatojnë se emërtimi i njësive nuk korrespondon me përmbajtjen e programeve që ofrohen, agjencia iu kërkon atyre që të ndryshojnë ato (programet) konform rekomandimeve të ekspertëve.

“Në parim agjencia nuk parapëlqen emërtime të ngushta (shumë të fokusuara) të njësive, sepse ato mund të jenë përjashtuese për ofrimin e programeve tjera në kuadër të saj”, është përgjigjur Muja. Ndërkaq, Rektorati i UP-së nuk ka dhënë ndonjë deklaratë rreth inkorporimit të FSI-së me arsyetimin se rektori Ibrahim Gashi ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë vendit. Deri vitin e kaluar në Fakultetin e Studimeve Islame janë diplomuar 252 veta. Në mungesë të magjistraturës një numër i këtyre studentëve kanë vazhduar studimet në universitete të ndryshme në vend dhe jashtë tij./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat