Guyana njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkaq gjatë ditës pritet të bëhet edhe zyrtarizimi, ka deklaruar për RTK-në, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), Artan Behrami.
”Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj sot po qëndron në Guyana. Ky shtet pritet që sot ta zyrtarizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, përmes aktit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve”, deklaroi ai.
Nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike do të bëhet sot nga ministri Hoxhaj dhe homologia e tij nga Guyana, Carolyn Rodrigues – Birkett. Ministri Hoxhaj në këto dy vite disa herë ka vizituar shtete të ndryshme të Amerikës Latine dhe të Amerikës Qëndrore, në përpjekje për të bindur përfaqësuesit e tyre që të marrin vendimin e njohjes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.