Naim Tërnavës po i përfundon mandati si Myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës. Organizata që mbledh rreth vete besimtarët islamë në Kosovë, pritet t’i mbajë zgjedhjet brenda muajit tetor, zgjedhje që do të sjellin edhe ndryshimin e kreut.
Burime të Tribunës brenda Kryesisë së BIK-ut, bëjnë të ditur se një pjesë e faktorit politik vendës e ndërkombëtar është e interesuar që në krye të BIK-ut të vihet një person më i përshtatshëm se Tërnava.
“Një pjesë e faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor po kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme të zgjidhet një person më i besueshëm i cili do të punonte siç ata dëshirojnë”, i ka thënë ky burim gazetës.
Sipas të njëjtit zyrtar që ka folur në kushte anonimiteti, skenari pritet të jetë i ngjashëm me atë që është përdorur kur është zgjedhur presidentja Atifete Jahjaga.
Mirëpo këto pretendime janë hedhur poshtë, nga sekretari i Kryesisë së BIK-ut, Resul Rexhepi. Ai ka mohuar se ekziston ndonjë presion vendor apo ndërkombëtar rreth përcaktimit të emrit për myfti të Kosovës.