Bota arabe ka përjetuar që nga fundi i vitit 2010 përmbysje të mëdha, që çuan në rrëzimin e dy presidentëve në Egjipt si dhe goditjen e Vëllazërisë myslimane.
Siria u përfshi në luftë civile dhe tranzicione të vështira pati në Tunizi dhe Libi.
Më poshtë vijojnë ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në vendet e botës arabe që nga viti 2010 e këtej:
EGJIPT
Hosni Mubarak, në pushtet për tri dekada, u largua pas 18 ditë revolte popullore (ku u shënuan gati 850 të vdekur) dhe ia dorëzoi pushtetin më 11 shkurt 2011 ushtrisë.
Më 3 korrik, islamiku Mohamed Morsi, kreu i shtetit dalë nga zgjedhjet demokratike në Egjipt, u përmbys nga ushtria e udhëhequr nga gjenerali, Abdel Fatah al-Sissi, pas një viti të trazuar pasuar nga krizat e përsëritura dhe opozitë e fortë politikisht.
Për gjashtë ditë, pushteti i marrë nga ushtria urdhëroi shpërndarjen sistematike të protestuesve, nën pushtetin e armëve, në çdo tubimi pro-Morsi.
Përleshjet me policinë shkaktuan 900 të vdekur që prej sulmit në sheshin "Rabaa el-Adevije" në Kajro (duke shkaktuar 280 të vdekur), përkrahës civilë të Vëllazërisë myslimane pjesa më e madhe e të cilëve u qëlluan me armë zjarri.
Më shumë se një mijë protestues u arrestuan, duke përfshirë dhe përfaqësuesit më të lartë të Vëllazërisë myslimane, të cilët do të gjykohen më 25 gusht, si Mohamed Badie udhëheqësi suprem i tyre, i arrestuar gjatë natës.
TUNIZI
Tunizia, vendi i parë në "Pranverën Arabe", është udhëhequr nga një koalicion i dominuar nga islamikët.
Në 14 janar 2011, Zine El Abidine Ben Ali, në pushtet që nga viti 1987, u largua nga vendi i tij drejt Arabisë Saudite, i përndjekur nga revolta e armatosur e mesit të dhjetorit 2010, kur një tregtar u keqtrajtua nga policia në mënyrë të përsëritur.
Pas zgjedhjes së Asamblesë Kushtetuese, dominuar nga partia islamiste "Ennahda", që kryeson qeverinë, Moncef Marzouki, një kundërshtar i ashpër i Ben Aliut, u zgjodh president nga Asambleja.
Vendi po tronditet vazhdimisht nga konfliktet sociale dhe politike, që prej vrasjes së një deputeti në korrik, më pak se gjashtë muaj pas vrasjes së një tjetër përfaqësuesi nga e majta.
Së fundi, ushtria ndoqi drejt maleve në kufi me Algjerinë një grup të armatosur i lidhur me Al-Kaedën.
SIRI
Siria po përjeton që nga marsi 2011 një revoltë paqësore të shndërruar në kryengritje të armatosur kundër regjimit të Bashar al-Asad.
Më shumë se 100 000 njerëz u vranë, sipas OKB-së, që nga fillimi i luftës që çoi drejt arratisjes së miliona sirianëve.
Javët e fundit, rebelët kanë humbur terren ndaj ushtrisë së regjimit, të mbështetur nga qindra luftëtarë të "Hezbollahut" shiit libanez.
Regjimi i Bashar al-Assad aktualisht kontrollon qendrën e vendit, duke përfshirë Damaskun dhe pjesën perëndimore.
Qytetet e mëdha, me përjashtim të Raqa (në veri-lindje), janë gjithashtu në duart e tij, ndërsa Aleppo (veri) dhe Deir Ezzor (lindje) ndodhen në duart e të dyja palëve.
Jugu gjithashtu mbetet i diskutueshëm, ndërsa veriu dhe lindja janë në duart e kryengritësve xhihadistë dhe luftëtarëve kurdë.
LIBI
Pas rrëzimit të regjimit të Muamar Gadafit në tetor të vitit 2011, autoritetet e reja po dështojnë në formimin e një force të rregullt policore dhe ushtarake, pasi vendi po përballet me pasigurinë.
Disa sulme kundër forcave të sigurisë kanë ndodhur në muajt e fundit.
BAHREIN
Pavarësisht shtypjes së dhunshme të protestave masive në Manama (nga mesi i shkurtit deri në mesin e marsit të vitit 2011), shiitët po përparojnë drejt fshatrave përreth kryeqytetit.
JEMEN
Në muajin mars, vendi ka nisur dialogun kombëtar për të hartuar kushtetutën e re dhe përgatitjet për zgjedhjet në shkurt të vitit 2014, pas një tranzicioni dy-vjeçar dhe nisjes së negociatave të presidentit të kontestuar Ali Abdullah Saleh./trt/