Fondi prej pesë milion eurosh që u premtua nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, për shërimin e fëmijëve të prekur nga leukemia, ka nisur të futet në praktikë. Një milion euro nga ky fond janë alokuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga kjo do të përfitojnë katër fëmijë.
"I kemi dorëzuar shumë dokumente në ministri të Shëndetësisë dhe tash jemi duke i pritur veç paret e kryeministrit. Mirëpo, dje Ministria na ka kërkuar edhe një dokument shtesë. Pas plotësimit edhe të kësaj kërkese, presim të dërgojmë fëmijën në një spital të jashtëm për shërim", thotë Muhabere Salihaj.
Drejtori i Klinikës së Pediatrisë thotë se nuk i është dhënë asnjë pacienti përparësi në përzgjedhje. Ai i thotë se të gjitha rastet që nuk mund të trajtohen në QKUK, do të futen në listën për shërim jashtë vendit. Mirëpo, sipas tij, këto raste nuk mund të presin gjatë.
“Lista ndryshon nga dita në ditë. Varet nga rastet që pranohen këtu në klinikë. Tani i kemi katër fëmijë në listë. Ata janë përzgjedhur duke u bazuar në shkallën e zhvillimit të sëmundjes. Mirëpo, këto raste nuk mund të presin gjatë. Të gjitha procedurat që na takojnë neve janë të përfunduara, të tjerat varen nga buxheti", tha Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës së Pediatrisë.
Një milion euro janë alokuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe këto janë të mjaftueshme “jo vetëm për katër raste, por deri në nëntë”.
“Varet nga familjarët të cilët duhet ta kompletojnë dokumentacionin ", tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Shemsi Veselaj.
Sipas tij, pjesa tjetër e fondit do të alokohet në qershor pas rishikimit të buxhetit, ndërkaq kostoja mesatare e shërimit për një pacient është 250 mijë euro.
Që nga janari i këtij viti në repartin e hematonkologjisë janë regjistruar tetë raste të reja të fëmijëve të prekur nga leukemia. /RTK/