Kisha “Sveti Nikolla” e cila gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës - sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - nuk është shfrytëzuar asnjëherë dhe do të rrohet.
Kreshnik Gashi, zyrtar për informim në këtë ministri, ka thënë për Klan Kosova se ajo duhet të largohet nga aty, bazuar në ligjet e Kosovës.
“Ajo kishë, siç e dimë, është e papërdorshme dhe kurrë nuk ka qenë e përdorshme, as e përfunduar”, ka thënë Gashi.
Por, kërcënues ka qenë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, i cili vije nga komuniteti serb. Ai i ka bërë thirrje ministrit të MMPH-së, Dardan Gashit, që të mos e rrënojë kishën, përndryshe “komuniteti serb do t’i braktiste institucionet e Kosovës”.
Për këtë çështje është kërkuar të pyetët edhe u.d. i rektorit të Universitetit të Prishtinës, Anton Berisha, meqë parcela i takon këtij institucioni të lartë arsimor. Berisha përmes telefonit i ka thënë Klan Kosovës se do të kërkojë të jetë pjesë e vendimmarrjes, nëse do të rrëzohet apo do t’i ndërrohet vendi. /Telegrafi/