“Asnjë forcë politike në Kuvendin e Kosovës nuk ka të drejtë të vë kushte për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili në mbledhjen e Qeverisë sërish u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të hënën e ardhshme të votojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Ushtria e Kosovës është përtej interesave politike. Duke votuar për Forcat e Armatosura nuk votohet për këtë apo atë individ, nuk votohet për Qeverinë e Kosovës, por votohet për shtetin e Kosovës”, ka thënë kryeministri.
Ai sërish ka përsëritur që nëse brenda këtyre ditëve nuk votohet themelimi i Forcave të Armatosura, atëherë do të ketë pasoja katastrofale për Ushtrinë e Kosovës.
“Themelimi i FAK-ut është domosdoshmëri, është shans historik për shtetin e Kosovës. Unë dua të shpresoj që i gjithë spektri politik kosovar do të marr guximin dhe do të ketë kurajo që të dalë mbi çdo interes të adresës së caktuar partiake të interesit ditor elektoral për të votuar në mënyrë unike e konsensuale për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Mund të ketë zëra politik që thonë se hajt shikojmë në mandatin e ardhshëm, por unë e them me përgjegjësi dhe seriozitetin më të lartë para qytetarëve se nëse në ditët e ardhshme nuk ndodh votimi në Kuvend, Kosova rrezikon formimin e FAK-ut me vite të tëra, prandaj këtë shans historik nuk guxojmë ta humbim për asnjë interes të ngushtë politik”, ka thënë kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka miratuar edhe projekt-kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2015-2017. Gjithashtu Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për zotimin e qeverisë që të marrë përsipër borxhet e mundshme nga marrëveshjet e vjetra në mes të ish-Federatës jugosllave dhe qeverisë japoneze të cilat janë realizuar në territorin e Kosovës, raporton KTV.
Gjithashtu qeveria ka miratuar propozim-vendimin e politikave të qeverisë me qëllim të ofrimit të lehtësirave tatimore për investimet e reja. /Indeksonline