Një 58-vjeçar nga Elbasani ka tentuar të vetëvritet në sy të mjekëve dhe të afërmve të tij, ndërsa ishte shtruar në Urgjencën e Qendrës Spitalore të këtij qyteti. Ngjarja, sipas burimeve zyrtare, ndodhi pak pas mesditës së të martës, në një nga dhomat e katit të parë të repartit të urgjencës.
Dëshmitarë të skenës horror treguan se 58-vjeçari Madrit Arapi, baba i dy fëmijëve, i divorcuar, ndërsa ishte duke debatuar me të afërmit dhe mjekët, ka rrëmbyer papritur një mjet prerës nga komodina pranë krevatit ku qëndronte i shtrirë dhe ka prerë fytin e tij duke u mbuluar i tëri në gjak. Menjëherë pas kësaj skene të tmerrshme dhe të pazakontë ka ndërhyrë personeli mjekësor për të shpëtuar pacientin. Por 58-vjeçari i shtruar mbrëmjen e së hënës në urgjencë në kushte tejet të rënda depresive ka arritur të vetëplagoset mjaft rëndë, duke prerë fytin në sy të familjarëve që e shoqëronin në dhomën e repartit të urgjencës.
Ai është transportuar që andej në pak sekonda për në repartin e reanimacionit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale mjaft delikate, për shkak se dëmtimi i shkaktuar në fyt ka qenë i rëndë dhe me pasoja të rrezikshme. Ai, sipas disa të afërmve, prej kohësh kishte kaluar në depresion dhe situata e tij shëndetësore ka ardhur duke u përkeqësuar. Më herët ai ka qenë i angazhuar me një biznes në fshatin Xibrakë të komunës së Labinotit, ku ka pasur një motel buzë rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd.
Ndërkohë që, bashkudhëtare me biznesin e tij kanë qenë edhe problemet me drejtësinë. Të paktën dy herë Arapi ka kaluar disa muaj heqje lirie dhe së fundi ai ishte shfaqur mjaft problematik në rrethin familjar dhe atë shoqëror./bw/