EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke kryer bastisje në shtëpitë e familjes Elshani në Ozdrim të Pejës.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të mërkurën në mëngjes kanë bastisur shtëpitë e familjes Elshani në fshatin Ozdrim të Pejës.
Në këtë bastisje kanë marrë pjesë dhjetëra pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, kurse operacioni është drejtuar nga një prokurore e EULEX-it e cila nuk ka pranuar të komentojë arsyen e këtyre bastisjeve dhe nëse këto bastisje vijnë pas vrasjeve të fundit në qendër të Pejës.
Bastisja ka filluar në orën 6 të mëngjesit dhe është duke vazhduar, kurse deri më tani tani janë bastisur katër shtëpi në fshatin Ozdrim dhe një shtëpi në Pejë.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se nuk mund të komentojë, pasi që nuk ka ende një raport të shkruar lidhur me bastisjen e familjes Elshani.
“Do të ju njoftojmë me kohë për të dyja çështjet (Elshanët dhe bastisjet në AKP) nëpërmjet një konference shtypi ose nëpërmjet një komunikate”, tha Kelani.
Familja Elshani është në gjakmarrje me familjen Kelmendi nga Peja.
I vrari i fundit është Valdet Kelmendi rreth 28 vjeç, i vrarë më 21 mars të këtij viti në Pejë. Vrasja e tij nxiti reagimin e qytetarëve pejanë që brengosen për mungesë sigurie në këtë qytet. Vrasja dyshohej që është kryer për motive të gjakmarrjes..