Kryetari i Komisionit për Mjedis në Kuvendin e Kosovës që po e amadenton projektligjin për zhurmat, Nait Hasani tregon se pse u mor si shembull Turqia, për rregullimin e zërit të ezanit.
“Për shkak të besimit që është një shumicë absolute me besim mysliman e kemi zgjedh Turqinë si model të avancimit të kësaj çështje”, tha Hasani për Klan Kosova.
Ai tha se në xhamitë e Turqisë ezani këndohet me 45 decibel natën dhe 60 ditën.
Ndërkohë sipas tij në Kosovë gjatë gjithë kohës, këndimi i ezanit është 70 decibel.
Imami i xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi e sheh të pamundur sinkronizimin e ezanit.
Ai tha se mes Kosovës dhe Turqisë ka dallim të madh.
“Nëse është me qëllim me këtë që të thirret në një xhami ezani dhe pastaj nëpërmjet radios të përhapet në xhamitë e tjera në Kosovë është shumë e vështirë”, tha ai.
Krasniqi po ashtu tha se në Turqi çdo lagje dhe fshat ka xhami dhe ezani lehtësisht arrin tek të gjithë banorët.