Rreth 40 të rinj nga Skënderaj muxhahedinë në Siri

Skenderaj, 2 maj 2014 - "Vetëm nga rrethi i Skenderajt, përkrah grupeve paramilitare islamike po luftojnë afro 40 persona", shkruan sot Express, duke iu referuar burimeve brenda policisë.

Shifra të ndryshme janë dhënë deri sot mbi numrin e kosovarëve të përfshirë në konfliktin e Sirisë, por tashmë besohet që ky numër është mbi 100. Ata janë nga zona të ndryshme të Kosovës, por dominojnë zonat rurale dhe ato më pak të zhvilluara ekonomikisht.

Janë të sistemuar në të dy krahët e dy grupeve më të mëdha islamike në luftë kundër regjimit të Bashar Al-Asadit, në të ashtuquajturin Shteti Islam i Irakut dhe Shamit (ISIS) dhe në organizatën e afërt me ”Al-Kaida’në”, “Xhabhatu Al-Nusra”.

Kohë më parë u raportu për vrasjen në Falluxha (Irak) të Valon Musliut nga fshati Tushilë e Skenderajt, një ish-nxënës i Medresesë së Mesme “Alaud-din” në Prishtinë. Edhe vëllai i tij, Musli Musliu po e vazhdon “xhihadin” në grupin “ISIS”, grup i cili tash ka hapur front edhe në krahinën Al-Anbar të Irakut.

Kosova deri tash ka tentuar që të rregullojë me ligj ndalimin pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në konflikte të armatosura. Një projektligj që do të mund të ndëshkonte këtë aktivitet është në procedim, por ende nuk është bërë ligj.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat