Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ngushëlloi kohët e fundit të afërmit e armenëve të vrarë në Luftën e Parë Botërore nga otomanët dhe ky veprimi i tij është vlerësuar në shkallë globale. Po, Ankaraja po përballet gjithashtu me kritika sipas së cilave, ky gjest nuk ishte asgjë më shumë se sa lojë politike. Kryeministri e dërgoi mesazhin të mërkurën e kaluar, një ditë pasi armenët përkujtuan 99-vjetorin e vrasjeve nga otomanët në vitin 1915. Erdogan e nxori deklaratën në gjuhët turke, armene dhe shtatë të tjera, duke shprehur shpresën që ata që u vranë të jenë në paqe dhe duke përcjellë ndjesën e Turqisë për pasardhësit e tyre. Megjithëse mesazhi përmbante një frymë pajtimi që nuk ishte shprehur kurrë më parë, Sinan Ulgen, një studiues i Institutit Carnegie në Bruksel, thotë se lëvizja e zotit Erdogan ishte pjesë e një strategjie më të gjerë. Presidenti armen Serzh Sargsyan nuk u kushtoi shumë rëndësi ngushëllimeve të Ankarasë, duke e akuzuar Turqinë se nuk i ka njohur vrasjet masive të armenëve në Luftën e Parë Botërore si gjenocid. Deri në 1.5 milion njerëz humbën jetën në masakër dhe shumë e konsiderojnë atë gjenocidin e parë të shekullit të 20-të. Armenia ka kërkuar nga Turqia që ta pranojë se bëhej fjalë për gjenocid, por, Ankaraja e ka hedhur kategorikisht poshtë këtë përcaktim, duke këmbëngulur se deri në 500,000 armenë vdiqën si rezultat i luftimeve dhe urisë gjatë Luftës së Parë Botërore.
