Shefqet Krasniqi, që është imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, përmes një opinioni ka reaguar ndaj vizitës së delegacionit kosovarë në Vatikan.
Ai ka kritikuar liderët që kanë vizituar Vatikanin për shenjtërimin e dy papëve, duke pyetur se “si gjejnë kohë, hapësirë dhe mundësi liderët tanë të shkojnë gjerë në Vatikan kurse këtu, në Prishtinë, xhamitë nuk i kanë as 100 metra larg zyrave dhe nuk gjejnë ‘kohë’ as vullnet të vijnë madje qoftë edhe një herë të vetme?”
Krasniqi ka kujtuar se shtetet perëndimore, fetarë dhe fenë e kanë pjesë të identitetit të tyre.
“Liderët perëndimorë duke filluar nga Italia deri në Kanada e Amerikë janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të identitetit të tyre. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme sikur që është e vërtetë po ashtu se Evropa dhe perëndimi janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të shtetit të tyre”, shkruan ai në opinion.
Hoxhë Krasniqi më tej pyet se “a mos vallë ende nuk e kemi kuptuar laicizmin dhe domethënien e tij? Apo mos laicizmi, sikurse edhe demokracia, ka kuptim të njëanshëm që nënkupton se laik do të thotë të mos shprehesh identitetin tënd si mysliman ndërsa të shfaqësh përkatësi tjetër fetare nuk ka problem”.