Në dalje të Prishtinës, rrugës për në magjistralen Prishtinë-Shkup gjendet objekti i gjimnazit më të ri në Prishtinë që mban emrin “Hasan Nahi”.
Financuar nga “Fondacioni për Arsim dhe Kulturë Atmosfera” që ka për qëllim sipas udhëheqësve të kësaj shkolle të ofrojë studim për fëmijët bazuar në kushte dhe metodologji mësimore që siguron një diplomë për secilin të pranueshëm ndërkombëtarisht. Në programin e kësaj shkolle janë edhe tri lëndë fetare.
Drejtori i gjimnazit Talip Aktash tregon se tashmë kanë marrë licencë edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës. E pas lejes për veprim nga Qeveria e Kosovës, ky fondacion ka vendosur të ofrojë cilësi dhe edukim duke respektuar planprogramet e Kosovës.,
Aktash thotë se programi mësimor është i orientuar veçanërisht në lëndët shkencore, por ka edhe plotësim nga lëndët fetare, e që sipas tij janë inkuadruar në program me qëllim të formimit të shëndosh të personalitetit të fëmijëve, shkruan Zëri.
Aktash thotë se ky gjimnaz do të ofrojë sistem arsimor të tillë që të rrisë një brez të ri me arsim, edukatë dhe kulturë e moral të lartë. Kështu që lëndët fetare, ai i arsyeton si një mundësi më e mirë për të krijuar një brez “me kokën e mbushur me shkencë dhe zemrën me moral”.
Historia shqiptare mësohet me planprogram të Kosovës
“Shkolla është e ndërtuar duke poseduar një hapësirë që ofron një infrastrukturë moderne me kushte shumë të mira mësimi si laboratorë, tabela elektronike...Dhe mësimi zhvillohet në dy gjuhë: shkencat natyrore në gjuhën angleze ndërsa shkencat shoqërore në gjuhën shqipe”, thotë ai duke shtuar se historia shqiptare, gjuha shqipe dhe gjeografia mësohen sipas planprogramit të Kosovës.
Ata tregojnë se dita e pavarësisë së Kosovës është kremtuar nga nxënësit në një nga sallat e kësaj shkolle ku ende qëndrojnë të varur flamujt e Kosovës dhe ai kombëtar. “Programi mësimorë është i orientuar veçanërisht në lëndët shkencore. Lëndët shkencore zhvillohen në gjuhën angleze nga mësimdhënës të kualifikuar.
Lëndët shoqërore si histori, shqip dhe gjeografi zhvillohen në gjuhën shqipe kurse gjuha turke mësohet si gjuhë e huaj. Klasat janë të pajisura me teknologji të avancuar në fushën e arsimit bashkëkohorë, janë të pajisura me tabela interaktive elektronike (smart board). Pra, mësimet e lëndëve shkencore zhvillohen në laboratore bashkëkohore të pajisura me elemente moderne”, thotë drejtori Aktash, duke shtuar se kjo shkollë posedon edhe mundësi banimi për vajza dhe djem ku përfshihet edhe ushqimi.
Bashkë me infrastrukturën moderne në shkollë, edhe niveli kualitativ i mësimdhënësve, ai thotë se ka ndikuar që niveli i dijes së nxënësve të ngritet duke konkurruar me projekte dhe në olimpiada shkencore kombëtare, sikurse janë ato të matematikës si dhe ato në arenën ndërkombëtare si Amerikë, Holandë dhe Turqi. Gjimnazi “Hasan Nahi”është kualifikuar që të përfaqësojë Kosovën në Houston të Amerikës, olimpiada këto nga më prestigjiozet në botë.
Garat që do të mbahen me datë 30 prill në SHBA kanë tematikën e mjedisit.
Nxënësit garojnë në SHBA
Gjimnazit “Hasan Nahi” përbëhet nga dy nxënës që do të garojnë me projektin “Kanceri në paratë e letrës”. “Shpresat tona të përbashkëta janë që nxënësit tanë të korrin sukses e të kthehen me medalje të artë nga olimpiadat”, thotë profesori i biologjisë Emrullah Spahiu.
E drejtori Aktash thotë se suksesi më i madh në këtë shkollë arrihet nga sakrifica e madhe që bëjnë mësimdhënësit për nxënësit. Nxënësit në këtë shkollë sipas Aktash-it edukohen për tri problemet që ka bota e që ai i rendit duke filluar nga injoranca, pastaj varfëria si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve.
“Këto tri probleme veç me arsim të mirë mund t’i rregullojmë”, thotë Aktash. Ai thekson se injoranca luftohet me arsim, varfëria me punë kurse ilaçi i përçarjes me mirëkuptim, paqe dhe tolerancë. Gjimnazi “Hasan Nahi” ka dy paralele me rreth 50 nxënës.