Ka përfunduar pa arritjen e ndonjë marrëveshje takimi në mes liderëve të partive politike i mbajtur në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, bëjnë të ditur burime të gazetës "Kosova Sot".
Gazetari ynë njofton se kreu i LDK-së Isa Mustafa ka mbajtur një takim me Grupin Parlamentar të partisë të cilët i ka njoftuar se as në takimin e sotëm liderët nuk kanë arritur marrëveshje. Pengesë për këtë, thuhet se kanë qenë minoritet të cilët po kushtëzojnë votimin e FAK-ut me vazhdimin e vendeve të rezervuara.
LDK dhe "Vetëvendosje" janë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara në Kuvend për minoritetet.
Nesër do të mbahet edhe një takim i liderëve në kërkim të arritjes së marrëveshjes për FAK-un dhe zgjedhjet.
Nis takimi i liderëve për FAK-un dhe zgjedhjet
Liderët e partive politike kanë filluar takimin me ambasadoren e SHBA-së, Tracey Ann Jacobsson në rezidencën e kësaj të fundit ku temë diskutimi është transformimi i FSK-së në FAK.
Sot pritet të diskutohet për FAK-un dhe zgjedhjet
Kuvendi i Kosovës pritet që sot të debatojë dhe të vendosë, nëse do të ketë votat e mjaftueshme, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Liderët e partive politike, pritet që para seancës së Kuvendit të mblidhen dhe të diskutojnë për këtë çështje si dhe për datën e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat pritet të mbahen më 8 qershor. Mbetet të shihet nëse liderët do të arrijnë ndonjë marrëveshje në kërkim të sigurimit të votave të pakicave për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi disa herë ka bërë thirrje që të votohet shndërrimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, pasi ka deklaruar se ajo është në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe stabilitetit të vendit, në të kundërt ka thënë se mosvotimi i ushtrisë do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën.
Një marrëveshje eventuale mes liderëve, do të mundësonte edhe caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve. Liderët e tri partive kryesore në vend, Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK) e Ramush Haradinaj (AAK) janë pajtuar për 8 qershorin, kundër është shprehur AKR-ja e Behgjet Pacollit, por që ende nuk është zyrtarizuar si datë e zgjedhjeve. Ndryshe, javën e kaluar liderët zhvilluan një takim në Ambasadën Amerikane ku prezent ishin edhe ambasadorja Tracey Ann Jacobson dhe përfaqësuesi i BE-së Samuel Zbogar, ku diskutuan për FAK-un dhe zgjedhjet. /kosovasot/