Shtyhet vendimi i Kuvendit për FAK-un

Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë miratimin e amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës , si dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, për shkak se nuk është arritur marrëveshja politike ndërmjet partive.
 
Seancën e së hënës të Kuvendit të Kosovës e kanë bojkotuar deputetët nga radhët e bashkësisë serbe, të cilët edhe më parë patën theksuar se janë kundër Forcave të Armatosura të Kosovës, por edhe kundër votimit të ndryshimeve kushtetuese pa u përmbushur kërkesat e tyre që vendet e rezervuara të vazhdohen edhe për 2 mandate.
 
Miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i pamundur pa dy të tretat e shumicës së deputetëve nga radhët e bashkësive pakicë.
 
Propozimin për shtyrjen e shqyrtimit të pikës 4 dhe 13 të rendit të ditës, përkatësisht miratimin e amendamenteve në Kushtetutë, si dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, e ka propozuar shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
 
“Unë, propozoj, për shkak të nevojës për të pasur konsulta të mëtutjeshme, që pika 4 dhe pika 13 e rendit të ditës të hiqen sot dhe të mbesin për nesër që të shqyrtohen”, ka theksuar Grabovci.
 
Ky propozim i grupit parlamentar të PDK-së u miratua nga Kuvendi i Kosovës me 83 vota për  dhe 2 kundër.
 
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka theksuar se deputetët e kësaj partie, kurdoqoftë, do të votojnë për  themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
 
“Unë edhe sot po përsëris qëndrimin e grupit tonë parlamentar që kurdo që të vihet për tu votuar për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, ne do të votojmë. Nëse ka nevojë, siç u tha, të ketë konsultime – që unë, normalisht, nuk flas në emër të tjerëve – ne nuk kemi asgjë kundër që kjo të shqyrtohet nesër dhe ne do ta votojmë”, tha Beqiri.
 
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka theksuar se është e qartë se tërheqja nga rendi i ditës i shqyrtimit të pikave 4 dhe 13 po bëhet për shkak të m mosarritjes së një marrëveshje lidhur me kërkesat e deputetëve që përfaqësojnë pakicën serbe për vazhdimin e vendeve të rezervuara në kuvend.
 
“Tërheqja po vjen si rrjedhojë e kushtëzimit që po e bëjnë veçanërisht dhe po më duket vetëm, këtë herë, deputetët që përfaqësojnë pakicën serbe në Kosovë. Mendoj se është momenti dhe natyrisht, duhet të thuhet edhe nga të tjerët – do të kisha shpresuar që të thuhet – se sa problematike po na paraqitet kjo vota e dyfishtë që na është imponuar dhe po e dëshmon që, në fakt, ka rrezik ta bëj tërë Kosovën jofunksionale, për shkak se po i bën institucionet e Kosovës jofunksionale”, u shpreh Ymeri.
 
Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini është pajtuar se në Kuvend nuk pati  kushte që të votohet themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
 
“Duhet të shpresojmë që nesër mund ta bëjmë një gjë të tillë. Edhe në mbledhje të kryesisë, ku të gjithë kolegët e mi kanë qenë prezent, e dinë se kam kërkuar që të ketë komunikim dhe të ketë harmonizim paraprak, për shkak se nuk mund të ndodhë që një kuvend, i cilës do republikë që përmendet, ta ndryshojë kushtetutën e vet, vetëm duke hedhur një letër para deputetëve”, theksoi Gjini.
 
Shefja e grupit parlamentar të Koalicionit për Kovë të re, Myzejene Selmanaj, është shprehur pesimiste se mund të arrihet miratimi i themelit të Forcave të Armatosura të Kosovës edhe në nesër.
 
Unë po ju them këtu, publikisht, se as nesër nuk do të mund të votohet. Mund të luajmë lojën ping-pong, jo sot, jo nesër, dhe të shohim se si po shkon procedura. Jemi për atë që sot të tërhiqet nga rendi i ditës. Mirëpo, prapë se prapë,  ju them se nuk mund të shtyhet kjo pa një marrëveshje ndërmjet liderëve”, tha Selmanaj.
 
Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, deputeti serb Petar Miletiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk beson se mund të ndryshojë situata deri në ditën e martë, për kur është paralajmëruar seanca eventuale në Kuvend.
 
“Në këtë moment, nuk shoh ndonjë mënyrë se si mund të arrihet ndryshimi i qëndrimi të deputetëve serbë për ditën e nesërme. Por, ne jemi këtu dhe jemi tub gatshëm për çfarëdo lloj bisedimesh. Por, duke pasur parasysh që afati është i shkurtë, nuk besoj se do të arrijmë ndonjë ndryshim”, ka theksuar Miletiq.
 
Ndryshe, Seancës së Kuvendit të Kosovës, sopt i ka paraprirë edhe takimi i përbashkët i kryeministrit Hashim Thaçi dhe liderëve të partive politike në rezidencën e ambasadës së Shteteve të bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
 
Megjithatë ata nuk kanë arritur ta sigurojnë një pajtim lidhur me vendet e rezervuara për pakicat dhe kjo situatë edhe ka reflektuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat