Jakup Krasniqi, deri dje kryeparlmentar i Kosovës, jeton në një shtëpi luksoze prej 500 metrash katrorë në lagjen Velania në Prishtinë.
Shtëpia e tij u bë temë e debatit në ditët e fundit për shkak të raporteve të acaruara me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli. Burimi i këtij debati ishin deklaratat e Krasniqi se Pacolli e kishte blerë postin e presidentit, derisa ky i fundit i mohoj kategorikisht këto pretendime, duke e ftuar prokurorinë që të hetoj akuzat e Krasniqit.
Më pas debati u ashpërsua kur Pacolli e akuzoi Krasniqin për pasurim të paligjshëm dhe shtëpi në vlerë prej 1 milion eurosh. Ish kreu i Kuvendit ia ofroj për ta blerë shtëpinë me cmim 1 milion euro, derisa kushti i Pacollit ishte qe 600 mijë euro nga kjo vlerë të shpërndahet për skamnorët ashtu siç kishte thënë Krasniqi.
E “Kulla” e Krasniqit, siç po quhet ndryshe shtëpia e tij, nuk ka leje ndërtimi. Këtë e dëshmon edhe një dokument të cilin e posedon gazeta. Komuna e Prishtinës në vitin 2010 e pati nisur procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Më këtë rast u patë dhënë mundësi që të gjithë ilegalët të plotësojnë dokumentet e nevojshme dhe të aplikojnë për leje të ndërtimit./tribuna/