Tragjedia në Turqi - Vijojnë punimet, të paktën 282 të vdekur

Është rritur numri i viktimave në tragjedinë e minierës së Somas, në provincën Manisa të Turqisë. Ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Taner Jëlldëz, deklaroi paraditen e sotme se bilanci paraprak i fatkeqësisë ka arritur në 282 të vdekur.

Ai theksoi se punimet e kërkim-shpëtimit po vijojnë me një ekip shumë të madh në numër, që po përpiqet të mbërrijë në dy pika.

Mbrëmjen e të mërkurës disa ventilatorë gjigandë, të dërguar posaçërisht nga Stambolli në Soma, realizuan me sukses shkarkimin e monoksidit të karbonit brenda galerive të minierës, ku pasditen e të martës ndodhi aksidenti fatal.

Pas shkarkimit të gazit toksik, punimet e kërkim shpëtimit rifilluan nga hyrja kryesore e minierës.

Të afërmit e minatorëve vazhdojnë të presin në zonën e incidentit.

Sakaq, autoritetet mjekoligjore konfirmuan, në bazë të rezultateve të autopsive, se shkaku i vdekjeve ka qenë helmimi nga monoksidi i karbonit.

Trupat e pajetë të minatorëve të identifikuar, mbi të cilat kanë përfunduar edhe procedurat mjekoligjore, iu dorëzuan familjeve dhe të afërmve.

Për viktimat e aksidentit në Xhaminë Qendrore të Somas u organizua edhe një ceremoni mevludi.

Kryetari i Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Gormez dhe shumë qytetarë kënduan lutje për shpirtrat e të vdekurve dhe punëtorëve të bllokuar në minierë.

Ministri i Shëndetësisë, Mehmet Myezinollu, bëri me dije se momentalisht në spitale vazhdon kurimi i 27 të plagosurve.

Ndërsa në kuadër të hetimit, që ka filluar nga autoritetet e Prokurorisë së Somës për tragjedinë në minierë, është ngritur një komision ekspertësh./trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat