Ish-kryetarët synojnë karrigen e deputetit

Ish kryetarëve të komunave të cilët dështuan të rikonfirmoheshin në këto poste në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, duket t’u jetë dhënë edhe një mundësi e dytë për t’u dëshmuar.

Ata do të garojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, pasi që partitë e tyre kanë vendosur që t’i fusin emrat e tyre në listat me kandidatë.

Analistët vlerësojnë se pavarësisht humbjes në garën për kryetar të komunës, ish-kryetarët mund të jenë ende të dobishëm për të sjellë vota për partinë. 

Selatin Kllokoqi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se ka dallime ndërmjet garës për kryetarët e komunave dhe asaj për t’u bërë deputet. 

“Duhet pasur parasysh se ata që kanë humbur në zgjedhjet lokale ndoshta edhe kanë humbur shkaku i koalicioneve të ndryshme që janë krijuar nëpër komuna”, tha Kllokoqi për gazetën Jeta në Kosovë.

Organet drejtuesve të partive ende nuk u kanë dhënë dorën e fundit listave së kandidatëve për deputetë të cilat duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për certifikim më 16 maj.

Por degët e partive tashmë kanë dorëzuar propozimet e tyre në selitë qendrore respektove.

Nëse përfillen këto propozime, në listën e PDK-së do të jenë gjashtë kandidatë të cilët ishin kryetarë të komunave deri në fund të vitit të kaluar, në listën e AAK-së do të përfshihen tre kandidatë, ndërsa në listën e LDK-së një prej tyre.

Shumica e ish-kryetarëve të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë kanë thënë se do të garojnë në zgjedhjet e 8 qershorit, pasi që degët e partive të tyre u kanë propozuar qendrave të partive që emrat e tyre të futën në listën e kandidatëve për deputetë.

“Varet prej Këshillit Drejtues të partisë, por dega në Mitrovicë më ka emëruar si kandidat për Kuvendin e Kosovës”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, Avni Kastrati, ish-kryetar i komunës së Mitrovicës i cili humbi zgjedhjet në raundin e dytë përballë oponentit të tij nga AKR-ja, Agim Bahtirit.

Kastrati u shpreh se janë disa kritere të cilat analizohen në Këshillin Drejtues dhe në kryesi të partisë, por ai e sheh si përparësi faktin se në zgjedhjet e fundit ka marrë 12 mijë vota nga mitrovicasit.

Edhe Qemajl Mustafa i cili humbi komunën e Gjilanit pas dy mandateve, përballë kundërkandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit, tha se dega e PDK-së në Gjilan e ka propozuar emrin e tij si kandidat për deputet krahas 11 emrave tjerë.

Por ai tha se po heziton që të kandidojë për shkak të mungesës së mbështetjes të cilën pretendon të mos e ketë pasur nga selia qendrore e partisë në zgjedhjet për kryetar të komunës vitin e kaluar.

Por Mustafa tha se pavarësisht që PDK-ja nuk i ndihmoi asgjë, ai nuk do të largohet nga ajo, pasi që siç tha ai PDK-ja e ka kandiduar dy herë për kryetar të komunës.

Edhe Agim Aliu i PDK-së i cili humbi komunën e Ferizajt përballë kundërkandidatit të LDK-së Muharrem Svarqa, tha se do të garojë për deputet.

“Dega e PDK-së në Ferizaj më ka emëruar për deputet të Kuvendit të Kosovës. Unë në zgjedhjet lokale në raundin e parë kam marrë 19 mijë vota, kurse në raundin e dytë rreth 22 mijë vota”, tha Aliu. 

Garimin e tij për deputet e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë edhe Isni Kilaj i PDK-së, ish-kryetari i komunës së Malishevës, i cili humbi zgjedhjet përballë Ragip Begajt nga Iniciativa Qytetare për Malishevën.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy ish-kryetarët që humbën zgjedhjet vetëm njëri prej tyre do të garojë për deputet.

Shaip Surdullli nga LDK-ja që humbi komunën e Kamenicës përballë kandidatit të PDK-së Begzad Sinanit, tha se do të jetë në listën e LDK-së për kandidatë për deputetë, edhe pse sipas tij Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ende nuk e ka mbajtur mbledhjen ku vendoset lista përfundimtare dhe radhitja e kandidatëve.

“Në zgjedhjet e fundit kam fituar 7.600 vota, por ato vota në komunën e Kamenicës tani është problem për t’i siguruar, pasi që atëherë në garë kemi qenë vetëm dy kandidatë për kryetar, mirëpo tani votat kërkohen edhe në komunat e tjera në Kosovë”, tha Surdulli.

Kurse, ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi nga LDK-ja i cili humbi zgjedhjet përballë kundërkandidatit të AAK-së Xhafer Gashit tha se nuk do të garojë për ulëse në Kuvend.

Ai tha se ka vendosur që të mos garojë, edhe pse udhëheq degën e LDK-së në këtë komunë.

“Duhet me lëshu pak rend. Unë kam kandiduar për kryetar komune duhet, duhet marrë pak frymë”, shtoi Krasniqi.

Garimin për deputetë e konfirmuan edhe ish-kryetarët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pal Lekaj i cili e humbi komunën e Gjakovës nga kundërkandidatja e tij Mimoza Kusari-Lila, tha se do të garojë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

“Është vendosur përfundimisht që do të jem pjesë e listës së AAK-së për deputet”, tha Lekaj.

Ish kryetari i Pejës, Ali Berisha nga AAK-ja, i cili humbi zgjedhjet përballë kandidatit të LDK-së Gazmend Muhaxheri, tha se dega e partisë në Pejë ka propozuar që ai të jetë në listën e kandidatëve për deputet, por ai tha se ende nuk është përfundimtare, pasi që siç tha ai për këtë ende nuk ka vendosur kryesia e partisë.

Edhe Smajl Latifi ish-kryetar i komunës së Rahovecit që humbi përballë kundërshtarit të PDK-së Idriz Vehapit, tha se do të jetë pjesë e listës së AAK-së për deputetë.

Pjesë e listës së AAK-së do të jetë edhe Bali Muharremaj nga Suhareka, i cili humbi zgjedhjet përballë kandidatit  të LDK-së Sali Asllanajt.

“Dega e AAK-së në Suharekë më ka propozuar mua që të garoj në zgjedhjet e 8 qershorit për deputet të Kuvendit të Kosovës”, tha Muharremaj për Gazetën Jeta në Kosovë./gazetajnk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat