Policia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e Forumit Mysliman të Shqipërisë për të organizuar një tubim në Ditën Kundër Homofobisë. Shkak për refuzimin është bërë parada e komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksual, transgjinor), e cila është parashikuar për t'u zhvilluar po në datën 17 maj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë argumenton vendimin e saj, duke arsyetuar se të dyja organizimet janë planifikuar në të njëjtin vend e orë e për këtë arsye, kjo e dyta nuk mund të zhvillohet. "Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë shpreh angazhimin e saj për garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit, pas plotësimit me shkrim të kërkesave të përcaktuara në ligjin nr. 8773, datë 2.04.2001 'Për Tubimet', si dhe për datën dhe vendin e zhvillimit të tubimit të përcaktoni një datë tjetër, pasi në datën 17 maj 2014, në të njëjtën orë dhe vend Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka miratuar dhe ju ka kthyer përgjigje për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin normal të një aktiviteti të organizuar nga një subjekt tjetër.
Duke pasur parasysh se në datën 17.05.2014 shërbimet policore janë të angazhuara për sigurimin e aktiviteteve të tjera të planifikuara më parë, nuk mund t'ju garantojmë masat e sigurisë për zhvillimin e tubimit në datën e caktuar, duke ju sugjeruar zhvillimin dhe garantimin e masave të sigurisë në një datë tjetër", thuhet në përgjigjen e policisë, kthyer Forumit Mysliman. Data 17 maj është Dita Kundër Homofobisë e për këtë arsye Ambasada Pink ka planifikuar zhvillimin e një parade, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në vendin tonë./Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/