Persona të panjohur kanë thyer dyert e shkollës shqipe “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve në veri të Mitrovicës dhe kanë shkruar nëpër tabelat e klasave simbole çetnike dhe kanë vizatuar kyça të mëdha.
Në mbishkrimin, që është lënë në klasat e kësaj shkolle, shkruante “Samo Sloga Srbina Spasava” që në shqip do të thotë ‘Vetëm Bashkimi Shpëton Serbin.
Flamur Gacaferri, drejtor i kësaj shkolle, ka thënë se qe 15 vite nuk ka pasur ndonjë telash të tillë.
Sipas tij mësimi sot nuk është zhvilluar për shkak të hetimeve që ka zhvilluar Policia.
Në anën tjetër edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut Besim Hoti, e ka konfirmuar ngjarjen për KosovaPress, duke thënë se Policia e ka hapur rastin dhe është duke zhvilluar hetime intensive, ndërsa ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Ndryshe paralelja e ndarë e shkollës fillore “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve përbëhet prej dy kontejnerëve ku vijojnë mësimin gjithsej 21 nxënës shqiptarë nga klasa e parë deri në të nëntën.