Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi tërheqjen e shortit për raditjen e subjekteve politike në fletëvotime. Në hapje të kësaj ceremonie në emër të KQZ-së, Betim Gjoshi ka shpjeguar përgatitjet që po bëhen nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Aktualisht KQZ është në fazën e përgatitjeve të mëtejshme të zgjedhjeve të 8 qershorit. Deri më tani janë bërë punë të mëdha në organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. KQZ ka ndërtuar komisionet komunale zgjedhore në 38 komuna të Kosovës, jemi në proces dhe shumë shpejt do të emërojmë edhe këshillat e vendvotimit. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e një numri të madh të punëve që janë rreth 300 aktivitete që ka ndërmarrë KQZ”, tha ai.
Pas kësaj punonjës të Administratës kanë tërhequr plikot e subjekteve politike, pastaj janë ftuar përfaqësuesit e tyre për të tërhequr numrin.
Sipas shortit LDK është radhitur në numrin 54 të fletëvotim, Nisma Për Kosovën 59, Aleanca Kosova e Re 40, pastaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numër 44, Lëvizja Vetëvendosje 35, Partia Demokratike e Kosovës me numër 58, Lista Serbska 38, Partia e Ashkalive të Kosovës me 49, etj .
Numrat të cilët i kanë tërhequr përfaqësuesit e subjekteve politike kanë nisur nga numri 32./zeri/