Tiranë, opozita proteston kundër drogës

Ndryshe nga protestat e tjera, Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk i shoqëruan protestuesit demokratë në marshimin e tyre drejt Kryeministrisë, ku ishin thirrur të kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës.

Kryetari dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike u takuan me mbështetësit e tyre përpara godinës së Këshillit të Ministrave, prej nga i kërkuan kreut të qeverisë të mbajë përgjegjësi politike për shndërrimin e Shqipërisë në një bazë të trafikut të drogës.

Duke i kërkuar të largohet, se vendi ka nevojë për zot shtëpie në krye të qeverisë dhe jo pengje të narkotrafikut siç ka treguar se është Edi Rama me qëndrimet e tij. Kjo është Shqipëria që lufton, që ndeshet. Kjo është Shqipëria që nuk kthehet prapa, Shqipëria e statusit të vendit kandidat”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike e shfrytëzoi protestën përpara Kryeministrisë edhe për t’u dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë dhe pa doreza diplomatike partnerëve ndërkombëtare, të cilët nuk kanë mbajtur deri tani një qëndrim kritik ndaj qeverisë për çështjen e trafikut të drogës.

“Për këtë mesazh të madh që po i japim Bashkimit Europian dhe partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria nuk është narkotrafiku, por populli i saj i lirë”, u shpreh Basha.

Sipas kreut të opozitës, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama nuk është një betejë për një karrike politike, por një betejë për të siguruar të ardhmen europiane të shqiptarëve.

“Mandati i Edi Ramës është njollosur nga narkotrafiku më i madh që ka njohur historia në këtë anë të Europës. Qytetarët e kanë rrëzuar moralisht Edi Ramën. Edi Rama ik! I ka mbetur të zgjedhë vetëm orën e dorëheqjes, sa më shpejt aq më mirë për të gjithë”, tha Basha.

Demokratët nuk kanë lajmëruar se kur do të kenë sërish një protestë të ngjashme, por ata do të vazhdojnë të jenë mbështetës të një tjetër proteste anti-qeveritare, asaj të grevës së urisë që po zhvillohet prej të mërkurës pasdite nga disa ish-nëpunës të administratës publike. Ata kërkojnë nga qeveria zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e tyre në vendet e punës.

Rama shpërfill protestën e opozitës

“Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard”

Ndërkohë, për kryeministrin Edi Rama e premtja ka qenë një ditë normale pune, paçka se poshtë zyrës së tij opozita organizoi protestën e radhës.

Mësohet se Rama gjatë kohës kur protestonte opozita ka qëndruar në zyrë së bashku me bashkëpuntorët. Pas përfundimit të kësaj proteste, Rama ka postuar në Facebook një koment ku thotë:

“Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard, piloti nuk foli, shoferi bërtiti, pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja”. /TCh/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat