Vendimi i kryeministrit në largim, Hashim Thaçi për të lejuar bartjen e shamive nëpër shkolla do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë do ta bëjë brenda pak ditësh presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ 06/2014, i cili ndalonte bartjen e shamisë në shkolla, ka vënë në lëvizje edhe presidencën e Kosovës. Nënshkrimi i ministrit të Arsimit Ramë Buja, i vendosur të premten me 16 maj, në fund të këtij udhëzimi, argumenton se ky udhëzim është shfuqizuar dhe i jep hapësirë bartjes së shamisë në shkolla, që nga dita e premte 23 maj.
Ky veprim i ministrit Buja, i cili ishte urdhëruar nga kryeministri Thaçi, nuk është pritur mirë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila pritet që ta dërgojë në Kushtetuese këtë vendim. Edhe më parë presidentja ka ripërsëritur se Kosova është shtet laik dhe se nuk duhet lejuar bartja e shamive nëpër shkolla.
Burime të redaksisë brenda presidencës kanë thënë se presidentja që nga e mërkura, kur udhëzimi është bërë publik nga gazeta “Zëri”, ka angazhuar juristë që të shikojnë mundësin e dërgimit të udhëzimit në Kushtetuese. “Udhëzimi Administrativ në momentin që do të protokollohet nga MASHT-i, atëherë presidenca do të shqyrtojë mirë ndryshimet në Udhëzimin e ri, dhe do të veprojë”, ka bërë të ditur ky burim për gazetën.
Nga presidenca kanë thënë se ende nuk e kanë parë Udhëzimin Administrativ me ndryshimet që ka pësuar. Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se presidenca ende nuk është njoftuar për këtë shfuqizim dhe ndryshim të Udhëzimit Administrativ 06/2014.
“Ne ende nuk e kemi parë Udhëzimin Administrativ dhe nuk jemi të njoftuar me asnjë ndryshim të mundshëm”, ka shtuar Vllahiu. Kushtetuta e Kosovës i lejon presidentes që ta shfrytëzojë nenin 13, që ta dërgojë këtë Udhëzim Administrativ në Gjykatën Kushtetuese.
Neni 113 paragrafi 2, nën paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës thotë: 2. Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit, janë të autorizuar t’i ngrenë rastet në vijim:
(1) çështjen e përputhshmërisë së ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë, me Kushtetutën;. Sipas njohësit të çështjeve juridike, Korab Sejdiu, presidentja në Rregulloret e Qeverisë ka drejtë t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, kjo i lejohet pasi që Udhëzimi Administrativ është akt nënligjore dhe është pjesë e ligjit bazë.
“Dhe rrjedhimisht, presidentja ka të drejtë ta shfrytëzojë përputhshmërinë e këtij akti nën ligjor me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Sejdiu. Gazeta “Zëri” me 21 maj, ka bërë publike shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ 06/2014, i cili ndalonte bartjen e shamisë në shkolla.
Shfuqizimi i këtij Udhëzimi kishte qenë kusht nga kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, për kryeministrin Thaçi, që të bëjë koalicion parazgjedhor me PDK-në. Ky veprim në prag të fushatës parazgjedhor nga njerëzit e shoqërisë civile dhe ata të politikës u pa si përpjekje e kryeministrit për të fituar votat e myslimanëve./zeri/