Mantija, një nga ushqimet tradicionale në Kosovë ka shkuar ”flakë” në një manifestim për prezentimin e kulturave të kombeve të ndryshme të mbajtur në qytetin Nybro të Suedisë.
1500 copë mantija, janë shijuar brenda 45 minutave nga suedezët, duke lënë kështu thatë tepsijat e kosovarëve në tezgën që ka mbajtur emrin dhe flamurin e Kosovës në këtë manifestim. Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Suedi kanë prezentuar vendin e tyre (Kosovën) në këtë manifestim të përvitshëm që organizohet në këtë shtet skandinav për t’u njohur kulturat e komuniteteve që janë banorë të këtij shteti.
Njohja e kulturave të kombeve të ndryshme përmes ushqimit tradicional në këtë manifestim, e ka vënë Kosovën pothuajse të parën në listën e 25 shteteve tjera për nga pëlqimi i ushqimit që përdorin kosovarët nga ana e suedezeve, e që është mbajtur në qytetin Nybro. Grupi i shqiptarëve që ka prezentuar Kosovën i përbërë nga dy familje ka ekspozuar ushqimin tradicional kosovarë Mantinë.
Udhëheqësja e këtij grupi, mësuesja Nazmije Kadriu ka thënë për ”Zërin” se kanë zgjedhur të prezentojnë si ushqim tradicional Mantinë, pasi ky ushqim ka në përbërje të vet përveq mishit dhe erëzave edhe brumin, që ky i fundit, sipas saj përdoret shumë pak në tryezën suedeze, cila ajo thotë se kryesisht shërbehet me përdorimin e perimeve të ndryshme, e shumë pak nga brumi. Kadriu tha se shqiptarët nga Kosova kanë arritur të integrohen në Suedi, madje kur bëhen ftesat për darka apo dreka mes miqshë, në tryezën kosovare shtrohen ushqime të përbëra nga brumi, një kërkesë kjo që ajo thotë se bëhet nga suedezët, që e vlerësojnë ushqimin kosovarë.
”Manifestimi për prezentimin e kulturave të kombeve të ndryshme që jetojnë në Suedi përmes ushqimit, mbahet që gjashtë vjet në qytetin tonë. Si Kosovë, por dhe shqiptarë në përgjithësi ne kemi marrë pjesë për herë të parë këtë vit. Kërkesa për pjesëmarrje na është miratuar menjëherë nga Komuna e Nybros, e cila na ka mbështetur financiarisht me një shumë rreth 400 euro”, ka thënë Kadriu. Ajo ka theksuar se kanë vënë në tezgën e Kosovës 1500 copë mantija.
”Kur janë bërë 45 minuta të gjitha mantijat janë shpërndarë. Interesimi për ushqimin kosovarë-mantinë ka qenë shumë i madh. Kjo u dëshmua sot. Si rezultat i kësaj na u kërkua që vitin e ardhshëm të përgatisim 3-4 mijë mantija që do t’i financojë prapë komuna, pra shpenzimet për përgatitjen e tyre”, ka thënë Kadriu që mantiajt i ka përgatitur bashkë me Mevlyde Ibrahimin dhe dy vajzat e saj Arbnora dhe Marigona Kadriu.
Studentja Marigona Kadriu ka thënë se si shqiptarë kurdo që ju jepet rasti edhe në mjediset universitare përpiqen ta tregojnë kulturën e pasur shqiptare,qoftë sipas saj edhe në një ditë si kjo me prezentimin e ushqimit, që ajo tha se është vlerësuar i shijshëm. Ndërkaq, Maria Strömen, udhëheqëse e këtij manifestimi ka thënë se ideja për organizimin e këtij manifestimi ka qenë e Leif Olsson (një bashkëpuntor i saj).
”Ai deshti që t’i bashkojë të gjithë njerëzit me kultura të ndryshme në qytetin tonë në Nybro, pra që t’iu jepet mundësia që të përgatisin ushqime nga vendi prej nga vijnë. Ky është viti i gjashtë që e organizojmë këtë manifetsim në Nybro”. Strömen ka theksuar se ushqimi kosovarë i ka pëlqyer dhe e ka shijuar shumë. ”Këtë vit jemi të nderuar që edhe shqiptarët nga Kosova na janë bashkuar për herë të parë në këtë manifestim”, tha Strömen për gazetën./zeri/