Shqipëri, myslimanë e të krishterë kundër homoseksualëve

Një javë pas marshimit të përfaqësuesve të aleancës kundër diskriminimit gjinor LGBT, në ditën ndërkombëtare të tyre, drejtues të komuniteteve fetare në Shqiperi, gjatë një simpoziumi, theksuan rëndësinë e familjes, si themeli i një shoqërie të shëndoshë.

“E keqja përhapet nëpërmjet rasteve, qofshin edhe sporadike, të këqija, duke krijuar përshtypjen se ata e kanë fituar tashmë betejën me ne. Ndërkohë që orientimi nga e mira, nga vlerat, e zvogëlon të keqen dhe e orienton shoqërinë drejt së mirës. Dhe nëse ne do të merremi vetëm me dhunën, me veset, me të keqen, duke mos e vënë theksin tek e mira, do të lejmë hapësira për të keqen, që të prezantohet si normalitet brenda nesh”, tha Ilir Hoxholli, kryetar i Komitetit shtetëror për Kultet.

“Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb. Nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb, si dhe ngritësja e folesë familjare, që përbën qelizën e parë të shoqërisë”, u shpreh Genti Kruja, përfaqësues i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

“Familja është në të vërtet ajo pjesë mikro e shoqërisë njerëzore, ku të gjitha sistemet makro të shoqërisë në çdo nivel, atë të moralit, kulturës, etikës, drejtësisë sociale, barazisë dhe paqebërjes, brenda familjes zhvillohen në fazën e tyre të plotë, veçse në nivelin mikro. Një familje e shëndetshme në këto drejtime, natyrisht që do të profetizojë apo do të qëndrojë si një lapidar, për një shoqëri po aq të shëndetshme”, tha Reverent Akil Pano, Sekretar i Përgjithshëm i Vllazërisë Ungjillore.

Edhe përfaqësuesit e komunitetit katolik e ortodoks theksuan se, vetëm besimi në Zot mund të ulë sulmin, që po përjeton instuticioni i familjes.

“Familja sot është e sulmuar dhe shumë i çuditshëm është fakti që këto sulme po bëhen nën maskimin e të drejtave. E drejta e homoseksualëve, që të formojnë një marrëdhënie, që të njihet si martesë me të gjitha të drejtat e të martuarve. Politika ka pushtet, por besimi ka diçka më të fortë: ndikimin. Politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat”, tha Don Henri Val-Kepm, përfaqësues i Kishës Katolike.

“Besimi fetar e ushqen familjen, ose bëhet një ndihmës i rëndësishëm në formizimin, zhvillimin dhe qendrueshmërinë e familjes, nëpërmjet dialogut, debatit dhe përvojës shoqërore dhe familjare që jetojnë brenda besimit”, tha Thoma Çëmeni, përfaqësues i Kishës Ortodokse.

Përfaqësues të komuniteteve fetare kishin shprehur të njëjtin qëndrim edhe vitin e kaluar, pas promovimit të lëvizjes LGBT, ndërsa kjo është hera e parë, që ata artikulojnë qëndrimin e tyre në mënyrë të përbashkët, nëpërmjet një simpoziumi dedikuar vlerave të familjes./TCH/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat