Cili do të jetë koalicioni qeverisës?

Pas shpalljes dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit dhe certifikimit të rezultatit, çështja kryesore që do të shtrohet do të jetë ajo e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Analistët thonë se PDK-ja tani duhet të përballet me kalkulimet se me kënd mund të krijojë qeverinë.

Partitë opozitare shumë shpejtë do të përballen me kërkesën nga fituesi i këtyre zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK-së për të qenë partner qeveritar.

Prej kësaj matematike, sigurisht se do të vetëpërjashtohet Lëvizja Vetëvendosja, e cila është e prerë se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.

Sipas analistëve kalkulimet flasin për një koalicion mes PDK-së, Nismës dhe AAK-së, ose PDK-së dhe LDK-së.

Leon Malazogu nga D4D tha për Radio Kosovën se pas këtij rezultati priten ndryshme më thelbësore në institucione.

"Sidoqoftë tani kemi një rezultat të ri dhe shpresoj se do të kemi ndryshime pak më thelbësore sa i përket edhe emrave të ministrave dhe deputetëve të Kuvendit por kjo mbetet të shihet kur dalin emrat se kush është zgjedhur. Unë mendoj se gjasat më të mëdha janë për një koalicion PDK, Nisma dhe AAK, por nuk përjashtohet edhe një koalicion PDK, LDK apo edhe eventualisht ndoshta si një situatë kur PDK nuk mund të bëjë koalicion dhe ndoshta mund t’i kthehet topi LDK-së që ata të mund bëjnë koalicion", ka thwnw Malazogu.

Edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se tani pikëpyetja është te LDK si partia më e madhe opozitare se a do të hyjë në koalicion me PDK-në, apo edhe PDK preferon më tepër të bëjë koalicion me partitë e tjera.

"Në kuptim të koalicionit mendoj që PDK-ja pavarësisht që do të bëjë qeverinë e ardhshme nuk do të ketë më luksin që ta kontrollojë atë në mënyrën siç e ka kontrolluar në qeverinë e kaluar, se do të ketë të paktën dy ministra të komuniteteve jo shumicë, të cilët në fakt tash kryeministri Thaçi nuk mund t’i ketë nën kontroll siç i ka pasur në rastin e SLS. Dhe e dyta, partnerët e tjerë të koalicionit qoftë të partive të vogla, qoftë LDK, do të jenë të tillë që do të kërkojnë një hise shumë më të fuqishme në qeverisje dhe si të tillë do të kufizojnë fushëveprimin e kryeministrit Thaçi në të ardhmen", vlerëson Korenica.

Korenica tha se tash për tash është vetëm një Jo për koalicion me Thaçin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të gjitha partitë tjera në mënyrë të heshtur po e lënë të hapur mundësinë për të shkuar në koalicion edhe me PDK.

Sidoqoftë, sipas tij, në koalicionin e ardhshëm e sigurt është se do të përfshihen edhe subjekte përfaqësuese të pakicave, sepse kjo çështje parashihet me Kushtetutë. /rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat