Tensione në Mitrovicë, policia përdor gaz lotsjellës

Forcat e rendit kanë arritur që turmën e protestuesve ta largojnë rreth 300 metra larg urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Policia e Kosovës dhe ajo e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, po përdorin gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, kurse në vend të ngjarjes është parë edhe një autoambulancë.

Të paktën dy veturave, një e Policisë së Kosovës dhe një e Policisë së EULEX-it, u është vënë flaka. 

Protestuesit në duar po bartin pankarta me mbishkrimet "S'duam park - duam urë", "Liri e Lëvizjes" e të tjera, ndërsa dëgjohen brohoritjet: UÇK-UÇK, Adem Jashari, Jo nuk ndahet Mitrovica e tjera.

Një grup protestuesish më herët ka djegur flamurin e Serbisë.

Edhe në pjesën veriore janë vërejtur tubime të serbëve lokalë.

Policia e Kosovës ka krijuar kordone, si në jug, ashtu edhe në veri të qytetit, për të pamundësuar kështu kalimet e qytetarëve nga jugu në veri dhe anasjelltas, në përpjekje të parandalimit të ekseseve të mundshme.

Po ashtu, mbi urën kryesore janë edhe forcat e KFOR-it si dhe Policia e EULEX-it.

Që në orët e para të pasdites, policia nuk ka lejuar asnjë qytetar që t'i afrohet urës.

Forcat shumëkombëshe të KFOR-it qysh herët janë stacionuar mbi urën kryesore të lumit Ibër, për të parandaluar eskalimin e situatës.

Në pjesën veriore të urës, janë karabinierët italianë, përderisa në jug vërehen pjesëtarë të forcave amerikane të KFOR-it.

Ndërkohë që pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë formuar kordonet në jug të qytetit duke u asistuar edhe nga policia e EULEX-it.

Masat e ndërmarra për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas protestës së sotme janë kumtuar përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës, asaj të EULEX-it dhe KFOR-it.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i do të sillen me vendosmëri dhe pa ndikim për të krijuar mundësinë që t’iu lejohet demonstruesve të sillen në mënyrë të sigurt dhe demokratike”, thuhet në komunikatë.

Protesta e sotme është paralajmëruar të jetë paqësore si shprehje e revoltës ndaj ngritjes së parkut barrikadë mbi urë, nga ana e autoriteteve lokale serbe nga veriu i Mitrovicës dhe Qeverisë së Serbisë.(z.g.) /REL/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat