Serbia ka kohë që ka startuar zgjerimin e kolonive serbe në veri. Ajo është duke ndërtuar objekte të larta - gjashtë sosh - për banim kolektiv dhe atë pa e pyetur fare askënd nga institucionet e Kosovës.
Sipas Pakos së Ahtisaarit duhet të pezullohet çdo ndërtim kolektiv, posaçërisht në zonën buzë Ibrit - si zonë e sigurisë. Por, aty, vetëm gjatë vitit 2007 kishte filluar ndërtimi i pesë ndërtesave me 180 banesa.
Ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara nga forcat serbe është penguar dhe vazhdon te pengohet nga strukturat paralele, të cilat veprojnë nën dirigjimin e Beogradit. Rasti fundit është lagja Kroi i Vitakut.
Qeveria serbe po ashtu po u ofron benificione edhe atyre serbëve që nuk kanë qenë kurrë banorë të Mitrovicës, me qëllim që t’i mbajnë aty për të ndërruar strukturën etnike të popullsisë. Këtë e thonë banorët shqiptarë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Ka serb të ardhur nga Kroacia, Bosnja... Vazhdimisht lusim Qeverinë e Kosovës që rikthimin e banorëve ta bëjë reciprokisht, e jo vetëm për serbët serbet”, thotë Adem Mripa.
Pjesa dërmuese e pasurisë së shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës është blerë nëpërmjet të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb, i cili thuhet se direkt e ka mbështetjen e Qeverisë serbe. Qeveria serbe jo vetëm që i ka blerë këto prona, por ka ndërmarrë një fushatë propaganduese për dëbimin e banorëve shqiptarë.
“Serbet do të ndërtojnë gjithnjë dhe kjo sjell konflikte. Kjo situat do të behet gjendja faktike dhe do te vije deri tek referendumi”, thotë Besa Luzha.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se të gjitha ndërtesat të cilat janë ndërtuar pas fotografimit ajror - do të rrënohen. Ministri në detyrë, Dardan Gashi, thotë se do të kërkojnë informata të hollësishme për këto objekte - nga Komuna e Mitrovicës - se kur janë ndërtuar.
Kryenegociatorja në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, tha për RTK-në se çështja e ndërtimeve që po bën Serbia në Kosovë është çështje që do të zgjidhet brenda Kosovës, “sepse është nën sovranitetin e vendit”.
“Ekzistojnë marrëveshje dhe ligje që një shtet tjetër mund të investojë në Kosovë, por atë duhet ta bëjë përmes institucioneve të Republikës së Kosovës. Pastaj, institucionet tona i dërgojnë mjetet në destinacionin e duhur. Çdo praktik tjetër nuk do te lejohet dhe do te sanksionohet me ligjet ne fuqi”, thotë Tahiri.
Sipas disa statistikave të bëra nga struktura ndërkombëtare, në pjesën veriore të Mitrovicës jetonin mbi 15 mijë banorë shqiptarë, kurse tash kanë mbetur rreth katërmijë shqiptarë. Ajo pjesë ishte e banuar me shumicë shqiptare, pjesa dërrmuese e të cilëve janë larguar dhunshëm gjatë dhe pas luftës nga ekstremistët serbë. Këtu duhet veçuar spastrimin etnik më 11 shkurt të vitit 2000. /RTK/