Pesë palestinezë humbën jetën sot pas sulmeve ajrore izraelite në qendër të Rripit të Gazës, njoftuan shërbimet palestineze të sigurisë.
”Dy persona humbën jetën pas një sulmi në kampin e Maghazit dhe tre të tjerë pas shembjes së xhamisë al-Kassam, në Nusseirat, bombarduar nga aviacioni izraelit”, deklaroi Eshref al-Kudra, zëdhënës i shërbimit palestinez të urgjencës.
”Viktimat janë mes 19 dhe 56 vjeç”, saktësoi ai.
Sipas burimeve palestineze, Izraeli ka shkaktuar deri tani vrasjen e mbi 1 500 palestinezëve, mbi 400 e të cilëve fëmijë.
Ndërkaq Hamasi palestinez paralajmëroi sot se nuk do t’i bëjë asnjë lëshim Izraelit ndërkohë që vazhdon konflikti në Rripin e Gazës.
“Nuk ka kthim mbrapa. Rezistenca do të vazhdojë me të gjitha forcat e saj. Papajtueshmëria e pushtuesit nuk do t’i sjellë asnjë përfitim dhe ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim në kërkesat e popullit tonë”, theksoi në një komunikatë Fevzi Barhum, një zëdhënës i lëvizjes islamike në Gaza.
Fevzi Barhum u shpreh në një moment që kishte paqartësi mbi rifillimin e bisedimeve në Kajro me izraelitët nën ndërmjetësinë e Egjiptit.
Këto bisedime, që kanë për synim zgjatjen e armëpushimit në fuqi nga dita e martë, dështuan dhe luftimet rifilluan sërish dje në mëngjes./trt/