Turqia nesër voton për president, Erdoan kryeson sondazhet

Presidenti i Republikës së Turqisë për herë të parë do të zgjidhet me vota të popullit e jo nga ana e parlamentit.

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen nesër në Turqi në 165 mijë e 108 qendra të votimit do të votojnë 52 milionë e 894 mijë e 115 votues.

Në këto zgjedhje garojnë kandidati i Partisë në pushtet AK, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan, kandidati i përbashkët i partive opozitare CHP dhe MHP, Ekmeleddin Ihsanollu dhe kandidati i Partisë HDP, Selahattin Demirtash.

Në këto zgjedhje për herë të parë në fletëvotimet do të jenë edhe fotografitë e kandidatëve për president. Sipas shortit të tërhequr në Këshillin Qendror të Zgjedhjeve në fletëvotime në rend të parë ndodhet fotografia e Kryeministrit Erdoan, në vendin e dytë Demirtash dhe të tretin Ihsanollu.

Votat e shtetasve turq që jetojnë jashtë vendit të cilat u sollën në Ankara me avion do të numërohen së bashku me fletëvotimet në Turqi pas përfundimit të procesit të votimit.

Votimi në mbarë vendin do të filloj në orën 08.00 dhe do të zgjas deri në orën 17.00.

Rezultatet paraprake të votimeve do të publikohen nga ana e KQZ më 11 gusht.

Ndërsa data për publikimin e rezultateve përfundimtare do të bëhet më 15 gusht.

Kandidati i cili fiton shumicën e votave në turin e parë do të shpallet edhe presidenti i 12-të i Turqisë.

Në qoftë se shkohet në turin e dytë të votimeve procesi i votimit jashtë vendit dhe në vendkalimet kufitare do të filloj më 17 gusht, ndërsa do të marr fund më 20 gusht. Ndërkaq turi i dytë i votimeve në vend do të mbahet më 24 gusht.

Një sondazh i publikuar parashikon një fitore të kryeministrit, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), me 57 për qind, që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që për herë të parë në Turqi zhvillohen me votë popullore dhe jo nga parlamenti, siç ishte vepruar deri tani.

Sipas sondazhit të publikuar nga e përditshmja turke ”Yeni Safak” kandidati kryesor i opozitës, diplomati Ekmeledin Ihsanollu (Ekmeleddin Ihsanoğlu), i kandiduar nga partitë laike të së djathtës MHP dhe nga qendra e majtë, CHP do të marrë 34 për qind të votave. Ndërsa Selahadin Demirtash (Selahattin Demirtaş), nga Partia Kurde do të marrë vetëm nëntë për qind të votave.

Gazeta ”Haberturk” raporton se lideri i partisë kryesore opozitare CHP, Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroğlu) ka deklaruar se sipas sondazheve të urdhëruar nga partia e tij Erdoan nuk duhet të fitojë raundin e parë.

”Sondazhet që ne kemi tregojnë se do të kemi edhe një raund të dytë”, tha ai. Shumë analistë e konsiderojnë fakt që Kryeministri Erdoan do të zgjidhet kreu i ri i shtetit./trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat