Erdoan: Do të veprojmë me maturi dhe jo me ndjenja për Gazën

Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan deklaroi se “fitues i zgjedhjeve presidenciale të 10 gushtit nuk është Erdoani, por 77 milionë qytetarët e Turqisë”. Shefi aktual i Ankarasë zyrtare mbajti sot një fjalim në Mbledhjen e Zgjeruar të Kryetarëve të Degëve të Partisë AK në rrethe.

“Fitues i zgjedhjeve presidenciale të 10 gushtit nuk është Rexhep Tajip Erdoani, por 77 milionët, Turqia dhe të gjithë miqtë e vëllezërit tanë mbi rruzullin tokësor. Këto zgjedhje nuk kanë humbës. Me lejen e Allahut, kur të betohem përpara Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë dhe të filloj detyrën më datë 28 gusht, askush të mos shqetësohet apo dyshojë se do të jem Presidenti i 77 milionëve”, u shpreh Erdoan.

Ndër të tjera, ai u ndal gjithashtu mbi sulmet e Izraelit kundër Gazës.

“Çështja jonë ka të bëjë me qeverisjen e Izraelit dhe jo me popullin izraelit. Ne do të veprojmë me maturi dhe jo me ndjenja”, theksoi lideri turk.

Sa u përket komuniteteve pakicë në Turqi, Erdoan tha se “në botë nuk ka asnjë vend tjetër që të jetë kaq i ndjeshëm sa Turqia në lidhje me minoritetet, të cilat aktualisht jetojnë krejtësisht të qetë në Turqi”.

Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalimit të Erdoanit ishte dhe Egjipti.

“Sot është 14 gushti, Dita e Rabias, dita e luftës heroike të opozitarëve të grushtit të shtetit në Egjipt. Aktualisht, kjo ditë e shënuar po mbështetet me aktivitete të ndryshme në të gjithë botën. Turqia është vendi i vetëm, që kundërshtoi masakrimin e demokracisë, masakrimin e njerëzve të pafajshëm dhe dramën njerëzore në Egjipt”, nënvizoi Presidenti i porsazgjedhur turk, Rexhep Tajip Erdoan./trt/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat